
Partia fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ka krijuar një narrativë të re për mos-zgjedhjen e Mimoza Kusari-Lilës kryekuvendare për të tretën herë. Tash po thonë se nuk po votohet vetëm se është grua.
Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, ka pretenduar se ndaj Haxhiut janë bërë fyerje nëpër hapësirat mediale për Haxhiun. Ai ka dhënë leksione edhe mbi gazetarinë, sikurse bëjnë shpeshherë partia që qëndroi në pushtet për katër vite në mandatin e fundit, shkruan Insajderi.
““Fundrrinë politike”, “terroriste politike”, “specie e përçudnuar”, “përçarëse”, “konfliktuoze”, “belagjike”, “vegël”, janë disa prej ofendimeve të ulta me të cilat opinionistët në televizone e portale po shajnë me mllef të papërmbajtur deputeten Albulena Haxhiu.
Ajo është deputetja më e votuar me mbi 125 mijë vota në këtë legjislaturë të nëntë e cila është në prag të konstituimit. Albulena është kryetare e organizatës së gruas në Lëvizjen tonë (GVV) dhe për një dekadë të plotë deputete e Kuvendit të Republikës. Sulmet ndaj saj janë dekurajuese për vajzat dhe gratë që duan të angazhohen në politikë. Nëse gazetarinë po e mbysin opinionistët, shoqërinë civile nuk bën ta shuaj indiferenca”, ka shkruar Rama.
Në anën tjetër, mizogjini e quajti edhe deputetja Mimoza Kusari-Lila në prononcimin për media pas dështimit të seancës konstituive.
Edhe kryeasamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës ka tentuar t’i japë konotacion gjinor çështjes së mozgjedhjes së Haxhiut kryekuvendare.
“Gruaja më e votuar në Kosovë, Albulena Haxhiu – mbesa e Ahmet Haxhiut, bashkëveprimtar i Adem Demaçit, njeriut që jetën ia kushtoi çlirimit të vendit, që hapi shtëpinë për flamuj, për fletushka, e për armët e UÇK-së – qenka e papranueshme për PDK-në, LDK-në dhe AAK-në. Ne e dinim që është e papranueshme vetëm për Listën Serbe e për Serbinë. Historikisht‘, deklaroi ai.
Ngjashëm ka vepruar edhe Saranda Bogujevci, e cila është përfolur si “emër i pranueshëm” nga disa prej partive opozitare, duke thënë se po shfaqet një diskurs i papranueshëm ndaj pozitave të larta shtetërore kur propozohet një grua.
“Albulena Haxhiu është gruaja më e votuar në vend; Albulena Haxhiu e tejkalon edhe votën e gjithsecilit lider të subjekteve të tjera politike në Kuvend. Por ajo që po më irriton më së shumti është ky feminizmi ynë selektiv e i rrënjosur në këtë formë në vendin tonë.
Burrat po thonë: “Punë e madhe që është një grua e zonja, ne po duam me tregu kush është dashur me qenë.” E çka sheh në diskursin publik është bindje ndaj këtyre propozimeve absurde të burrave.
Në vend se fuqishëm të kërkojmë që Kuvendi ta ketë këtë grua të fortë, të mençur, të zëshme dhe të pathyeshme“, deklaroi Bogujevci.
Edhe vetë Haxhiu tentoi ta kthente në çështje gjinore. Tha se u quajt terroriste politike.
“Ajo çka pikërisht po lidhem me këtë, që unë jam përballë gjatë kësaj kohe është figurë përçarëse, konfliktuoze, monstrum politik, terroriste politike, specie e përçudnuar. Kjo gjhë është e papranuehsme, jo që po bëhet ndaj meje, por ndaj kujtdo qoftë. Kjo gjuhë misogjene, seksiste, dekurajon gratë tjera që të merren me politikë. Sepse ku shohin përbaltjet e grave, mendojnë para se të merren me politikë“, deklaroi ajo.
Haxhiu për të tretën herë radhazi dështoi të votohet si kryekuvendare në seancën konstituive. Ajo mori vetëm 57 vota për, teksa seanca konstituive u shty për të premten. /Insajderi.org/