
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të angazhuar në stacionin policor të Kaçanikut. Hetuesit e IPK’së kanë nisur veprime hetimore paraprake lidhur me zbatimin e urdhëresës për arrestimin e personit Rejhan Belës, i dyshuar për përfshirje në rastin e vrasjes së rreshterit policor Muhamet Lika, shkruan Insajderi.
Nga veprimet hetimore të deritanishme dhe komunikimet zyrtare të pranuara, IPK ka ngritur dyshime të arsyeshme se dy zyrtarë policorë kanë dështuar në kryerjen e detyrave zyrtare dhe kanë treguar neglizhencë serioze në ekzekutimin e kësaj urdhërese, pra urdhërarrestimin e Rejhan Belës.
“Nga informacioni i dokumentuar dhe i siguruar nga IPK-ja ekziston dyshimi se një toger policor në pozitën e shefit të sektorit të operativës, ka pasur dijeni për urdhëresën për arrest, por dyshohet se nuk ka ndërmarrë veprime konkrete operative për lokalizimin dhe kapjen e personit të kërkuar.
Gjithashtu, bazuar në veprimet hetimore dyshohet se një rreshter policor i angazhuar në cilësinë e mbikëqyrësit në njësinë ndërlidhëse për gjykata, ka dështuar të raportojë me kohë dhe saktësi për urdhëresën për arrest si dhe dyshohet se nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për ekzekutimin e saj”, thuhet në njoftim.
Që të dy zyrtarët policorë për të cilët IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tyre kanë qenë të angazhuar me detyrë në stacionin policor të Kaçanikut.