LDK mirëpret rrëzimin e Ligjit për KPM-në nga Gjykata Kushtetuese - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    LDK mirëpret rrëzimin e Ligjit për KPM-në nga Gjykata Kushtetuese

    Insajderi
    23 April 2025 - 19:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), ligj ky i cili ishte kontestuar nga vetë LDK në këtë gjykatë.

    Sipas LDK-së, ky vendim konfirmon shkelje serioze të parimeve kushtetuese që garantojnë pavarësinë institucionale, lirinë e shprehjes dhe pluralizmin medial në Republikën e Kosovës, shkruan Insajderi.

    “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese thekson se disa dispozita të Ligjit të kontestuar janë kryesisht në kundërshtim me nenin 7 të Kushtetutës, që përcakton vlerat dhe parimet kushtetuese si dhe nenin 141 të Kushtetutës, i cili garanton pavarësinë e KPM-së. Në veçanti, ndryshimet që i japin Kuvendit kompetenca për zgjedhjen e Kryetarit të KPM-së dhe rritja e numrit të anëtarëve të saj, pa konsultime të duhura publike, janë vlerësuar si ndërhyrje që cenojnë pavarësinë e këtij institucioni të rëndësishëm për pavarësinë mediale në vend”, thuhet në reagimin e LDK-së, transmeton Telegrafi.

    Më tej, LDK ka shprehur shqetësimin e saj për tendencat e përsëritura të Lëvizjes Vetëvendosje për të ushtruar kontroll politik mbi institucionet e pavarura, përfshirë edhe KPM-në.

    “LDK shpreh shqetësimin e saj për tendencat e përsëritura të Lëvizjes Vetëvendosje për të ushtruar ndikim dhe kontroll politik mbi institucionet e pavarura, si në këtë rast mbi KPM-në, me qëllim forcimin e kontrollit mbi mediat audiovizuale. Këto veprime përbëjnë shkelje të parimeve themelore të demokracisë dhe lirisë së shprehjes, duke rrezikuar funksionimin e asaj që njihet si ‘shtylla e katërt’ e shtetit.”

    LDK nënvizon se do të angazhohet që legjislatura dhe qeveria e re të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të ndërmarrin masa të menjëhershme për të përmirësuar situatën.

    “Është e domosdoshme që çdo ndryshim ligjor të bëhet përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, duke përfshirë konsultime me palët e interesuara dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare për lirinë e medias.”

    Në përfundim, LDK riafirmon angazhimin e saj për mbrojtjen e pavarësisë së institucioneve dhe lirisë së shprehjes:

    “LDK do të vazhdojë të angazhohet për mbrojtjen e pavarësisë së institucioneve dhe lirisë së shprehjes, duke kundërshtuar çdo përpjekje për kapjen politike të mediave dhe cenimin e demokracisë në vend”, thuhet në reagim.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark