
Zyrtari komunal Bekim Brestovci, i cili në Komunën e Prishtinës mban dy pozita të rëndësishme; drejtor i Inspektoratit dhe i Shërbimeve Publike, së fundmi ka hapur një biznes privat. Por, a e ka shkelur ai ligjin për zyrtarët publikë?
Në janar të këtij viti është regjistruar kompania “Lina&Kim Consulting” SHPK, e cila figuron në emrin e Bekim Brestovcit.
Ende mbetet e paqartë nëse kompania është hapur drejtpërdrejt nga ai, apo nga e fejuara e tij, Angelina Shala.
Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve, të dy zotërojnë nga 50% të aksioneve në këtë kompani.
Bazuar në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, Brestovci dyshohet se ka shkelur nenin 15, i cili ndalon zyrtarët e lartë të kenë pozita menaxheriale në ndërmarrje private.
Çfarë thotë ligji?
Neni 15 – Mospajtueshmëria me ushtrimin e funksionit publik
Lidhur me këtë rast, Gazeta Insajderi i është drejtuar Brestovcit me pyetje, për të kuptuar nëse është në dijeni se, sipas ligjit në fuqi, zyrtarëve publikë nuk u lejohet të kenë biznese aktive gjatë kohës që ushtrojnë funksione publike.
Megjithatë, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, ai nuk ka kthyer përgjigje.
Po ashtu, gazeta i është drejtuar edhe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, për të marrë një qëndrim zyrtar nëse ky rast është duke u trajtuar dhe, nëse po, në cilën fazë ndodhet procesi.
Por deri në momentin e publikimit të shkrimit, nuk kemi pranuar përgjigje nga Agjencia.
Theksojmë se në të kaluarën ka pasur disa raste kur Agjencia Kundër Korrupsionit ka trajtuar situata të zyrtarëve publikë që dyshohej se kishin shkelur ligjin për shkak të përfshirjes në biznese private, krahas mbajtjes së funksioneve publike.