
Barcelona e ka fituar Kupën e Mbretit për herë të 32-të në histori pas një fitoreje dramatike 3-2 ndaj Real Madridit, në një përballje që u shoqërua me shumë tensione, përfshirë ndodhitë e fundit të ndeshjes.
Pas shënimit të golit të tretë nga Jules Koundé në kohën shtesë, që i dha fitoren Barcelonës, tensionet u rritën në fund të ndeshjes. Lojtarët e Realit të Madridit ishin të acaruar dhe, si pasojë, Antonio Rüdiger mori kartonin e kuq pas një gjuajtjeje të një shisheje drejt gjyqtarit. Mbrojtësi i Realit, i cili ishte plot nervozizëm, mezi u ndalua nga anëtarët e stafit stërvitor që të hynte në fushë.
Një koment i ashpër u bë nga Rafael van der Vaart, ish-lojtari i Real Madridit, i cili kritikoi ashpër sjelljen e Rüdiger dhe e quajti atë “të sëmurë mendor”.
“Antonio Rüdiger është një pacient mendor. Ndonjëherë ai është një djalë qesharak, ndonjëherë ai është një idiot. Sot ai ishte një idiot,” tha Van der Vaart pas përfundimit të ndeshjes, shkruan Insajderi.
Ish-lojtari holandez ka bërë komente të ngjashme edhe më herët për Rüdiger. Ai kishte thënë më parë: “Sa për Rüdiger, ne të gjithë mendojmë se ishte e qëllimshme kur ai shkeli një kundërshtar… Ai luante në Stutgart kur unë isha në Gjermani. Më goditi me shkelm në stomak dhe mori një karton të kuq menjëherë… Po, e dini, ai është pak idiot.”
Kujtojmë se Rüdiger ishte gjithashtu në qendër të një incidenti tjetër gjatë eliminimit të Real Madridit nga Liga e Kampionëve, kur ai shkeli lojtarin e Arsenalit, Leëis-Skelly, në një moment të tensionuar.
Përveç kritikave të ashpra për sjelljen e tij në El Clasico, Rüdiger mund të përballet edhe me një gjobë të madhe, pasi ai përdori fjalë të pahijshme për të sharë gjyqtarin pas ndeshjes.