
Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Prishtinë ka njoftuar opinionin publik se prezenca e zyrtarëve policorë sot në sheshin “George Bush” kishte për qëllim vetëm asistimin e Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Prishtinës, për aktivitete të planifikuara në kuadër të punës sekondare, dhe jo për të ndihmuar kryerjen e punimeve në atë zonë, raporton Insajderi.
Në njoftim thuhet se veprimet e Policisë së Kosovës bazohen në parimet e ligjshmërisë, proporcionalitetit dhe neutralitetit, duke respektuar gjithmonë ndarjen e pushteteve dhe kompetencat e institucioneve të tjera.
“Çdo pretendim që sugjeron tejkalim të kompetencave nga ana e Policisë së Kosovës është i pabazuar dhe bie ndesh me misionin tonë për të vepruar në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me ligjin“, thuhet në reagimin zyrtar.
Policia ka ritheksuar përkushtimin për të ofruar mbështetje institucionale vetëm brenda kornizës ligjore dhe për të garantuar sigurinë publike, duke respektuar kufijtë e kompetencave të saj.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, u përball me Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore lidhur me ndërtimin e rrugës “Xhorxh Bush” në Prishtinë.
Para mediave, Rama i kërkoi inspektorit të Inspektoratit përkatës që të paraqiste fakte dhe jo të pavërteta.
“A mundesh me na tregu fakte, vetëm me fakte, mos fol me të pavërteta për qytetarët e kryeqytetit. Fakte”, deklaroi Rama.
Nga Komuna e Prishtinës, përballë këtij inspektori, u theksua se punimet po realizoheshin jashtë zonës së mbrojtur të trashëgimisë kulturore.
I pari i Prishtinës deklaroi se nëse Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore tenton ndalimin e punimeve, do të intervenojë Policia e Kosovës.
“E kemi Policinë dhe e çon Inspektoratin te shtëpia. Ne punimet do t’i vazhdojmë”, ka deklaruar Rama.