Mbështetësi i VV’së shpërblehet edhe me një tender në Telekom - Insajderi
×
  • Lajme
  • Analiza

    Mbështetësi i VV’së shpërblehet edhe me një tender në Telekom

    Insajderi
    30 April 2025 - 11:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Telekomi i Kosovës ia ka dhënë edhe një kontratë “Exbatt Group”, pronari i së cilës është Blerim Blaku. Ky i fundit është parë mbështetës në rrjetet sociale për partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.

    Një tender në vlerë prej afro 90 mijë eurosh i është besuar Blakut. Bëhet fjalë për furnizim me UPS modular dhe bateri për centralen e Valës në Prishtinë, shkruan Insajderi.

    Ajo është dhënë përmes procedurës së hapur.

    Kontrata për këtë tender pritet të nënshkruhet më 2 maj. Sidoqoftë, mund të ketë ankesa në Organin e Shqyrtimit të Prokurimit pasi një operator tashmë është ankuar për shkelje ligjore në procesin e vlerësimit të ofertave nga Zyra e Prokurimit.

    Pronari i “Exbatt Group” është shfaqur mbështetës ndaj partisë në pushtet. Ai mbështetjen për ta e kishte shfaqur edhe në rrjetet sociale. E kishte publikuar një fotografi me Albin Kurtin, Xhelal Sveçlën dhe Fatmir Humollin.

    Insajderi kishte raportuar se si Telekomi i Kosovës e kishte shpallur fitues ofertuesin “EXBATT GROUP” në tetor të vitit të kaluar si më të shtrenjtin për tenderin për “Furnizimin dhe montim i baterive industriale për UPS”.

    Telekomi i kishte injoruar gjashtë ofertat me të lira. Një kompani madje ka ofertuar 24,780€ më lirë se “EXBATT GROUP”.

    Ishin dërguar edhe ankesa për ri-shqyrtim të këtij tenderi, por që Telekomi i kishte refuzuar.

    Nga Telekomi i Kosovës i kishin thënë Insajderit se “EXBATT GROUP” ka qenë operatori ekonomik i vetëm i përgjegjshëm dhe se tenderi s’ka pasur ndonjë kufizim.

    Ka qenë i vetmi operator ekonomik i përgjegjshëm. Kriteret e përzgjedhjes kanë qenë gjithëpërfshirëse dhe nuk ka pasur ndonjë kufizim. Ndërsa, kriter vlerësimi ka qenë “tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët””, u tha në përgjigjen e dhënë nga Zyra për Informim e Telekomit të Kosovës. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark