Dje e ndaluan me polici, sot Rama njofton se punimet për "Xhorxh Bush" po vazhdojnë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Dje e ndaluan me polici, sot Rama njofton se punimet për “Xhorxh Bush” po vazhdojnë

    Insajderi
    30 April 2025 - 11:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pavarësisht ndalimeve të njëpasnjëshme nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se punimet në sheshin “Xhorxh Bush” po vazhdojnë edhe sot.

    Përmes një njoftimi në rrjete sociale, Rama ka konfirmuar se Komuna është e vendosur të përmbyllë projektin madhor të transformimit urban të qendrës së kryeqytetit, shkruan Insajderi.

    “Punimet në sheshin ‘Xhorxh Bush’ po vazhdojnë edhe sot! Projekti do të realizohet!”, ka shkruar ai.

    Rama ka rikujtuar se një ditë më parë punimet u ndalën në një pjesë të rrugës, për të cilën ai thotë se ndalimi është bërë “në kundërshtim të plotë me ligjin dhe duke u mbështetur në dokumente jo valide”.

    Ai ka theksuar se Komuna e Prishtinës do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për të kundërshtuar, siç i ka quajtur, “vendimet e kundërligjshme të Ministrisë së Kulturës dhe të institucioneve vartëse të saj”.

    Reagimi i Ramës vjen në vazhdën e një përplasjeje të ashpër ndërinstitucionale ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe MKRS-së lidhur me projektin 18-milionësh për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush”, që nga Ministria po konsiderohet si rrezik për trashëgiminë kulturore të zonës përreth.

    Rama ka ripërsëritur qëndrimin se projekti nuk do të ndalet, duke e shoqëruar njoftimin me hashtagun: #mosmabllokoprishtinen.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark