
Kosova ka shënuar rënien më të madhe në 15 vitet e fundit në Indeksin Global të Lirisë së Shtypit, të publikuar nga organizata ndërkombëtare Reporterët pa Kufij (RSF).
Në raportin e publikuar më 2 maj, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova renditet në vendin e 99-të nga gjithsej 180 shtete, duke regjistruar rënien më të thellë në rajon.
Ky është viti i dytë radhazi që vendi shënon regres, pas rënies nga vendi i 56-të në 75-tin në vitin 2024.
Sipas RSF, mediat në Kosovë po përballen me presione të vazhdueshme politike, bojkotime nga autoritetet dhe një klimë armiqësore ndaj gazetarëve. Raporti veçon se mediat janë të rrezikuara nga kriza financiare, ndikimi politik dhe sulmet fizike apo verbale.
Ligji për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), i miratuar nga Kuvendi verën e kaluar, kritikua ashpër për përpjekje për të kufizuar lirinë e mediave, përmes licencimit dhe gjobave të larta për mediat online.
Organizata Reporterët pa Kufij vlerësoi se ligji ishte kundërthënës dhe “rrezikonte më tej pavarësinë e KPM-së”.
Ndërkohë, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, është kritikuar për bojkotimin e disa mediave që në fillim të vitit 2025. Vetë partia ka deklaruar se nuk bëhet fjalë për bojkot, por për “përjashtim” të tri mediave, pa përmendur emra.
Raporti nënvizon gjithashtu se para zgjedhjeve të përgjithshme, Qeveria kishte ushtruar presion mbi transmetuesin publik RTK, ndërsa mediat në gjuhën serbe janë ankuar për diskriminim dhe mungesë qasjeje në informacione publike.
Sipas të dhënave të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), vetëm gjatë vitit 2024 janë regjistruar 24 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, ndërsa në vitin 2023, numri kishte qenë edhe më alarmues – 53 raste.
RSF nënvizon se gazetarët në Kosovë shpesh bëhen shënjestër e fyerjeve, shpifjeve dhe kërcënimeve në rrjetet sociale, madje edhe akuzohen padrejtësisht për “bashkëpunim me armikun” nga qarqe politike e fetare. Disa prej tyre janë përballur me përgjime, sulme fizike dhe presione nga rrjete kriminale, sidomos në kontekstin e tensioneve politike me Serbinë. Edhe pse rastet hetohen, rrallëherë përfundojnë me ndjekje penale.