
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar veprimin e mbrojtjes së afërt të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ndaj gazetarit të televizionit T7, Genc Godanci, i cili u pengua teksa përpiqej të bëntë pyetje rreth Indeksit të Lirisë së Medias, të publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij.
Në një postim në Facebook, AGK-ja thekson se një nga pjesëtarët e mbrojtjes shihet duke ia kapur fizikisht dorën gazetarit në dy raste të ndara, ndërsa një pjesëtar tjetër krijon një pengesë të dytë në përpjekjen e tij për të marrë përgjigje, shkruan Insajderi.
“Kjo nuk është hera e parë që gazetarët pengohen me dhunë nga mbrojtja e afërt në sytë e kryeministrit në detyrë, Kurti,” thuhet në reagimin e AGK-së.
Asociacioni gjithashtu ka bërë thirrje publike ndaj Policisë së Kosovës dhe kryeministrit në detyrë që të sigurojnë kushte normale pune për gazetarët, sidomos kur ata kërkojnë përgjigje në ambiente publike nga zyrtarët e lartë shtetërorë.