PDK: Rënia e Kosovës në vendin e 99-të është ditë e zezë për lirinë e shprehjes – VV ka instaluar regjim linçimi dhe frikësimi - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    PDK: Rënia e Kosovës në vendin e 99-të është ditë e zezë për lirinë e shprehjes – VV ka instaluar regjim linçimi dhe frikësimi

    Insajderi
    02 May 2025 - 14:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar pas publikimit të raportit të Reporterëve pa Kufij, ku Kosova është renditur në vendin e 99-të për lirinë e shprehjes – një nga pozitat më të ulëta ndonjëherë.

    Ajo ka akuzuar Qeverinë e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje për instalimin e një “regjimi linçimi dhe frikësimi”.

    Në konferencë për media, Deliu-Kodra e cilësoi këtë zhvillim si një nga momentet më të errëta në historinë e shtetit të Kosovës, shkruan Insajderi.

    “Sot, të dhënat e publikuara nga Reporterët pa Kufij e rendisin Kosovën në vendin e 99 nga 180 shtete në botë për lirinë e shprehjes. Kjo është renditja më e ulët në historinë e Kosovës. Një rënie e turpshme, dramatike dhe alarmante: nga vendi i 56-të në vitin 2023, në vendin e 75-të në vitin 2024, për të përfunduar sot në vendin e 99-të! Dhe raporti nuk lë asnjë dyshim: për këtë katandisje është përgjegjëse qeveria e Vetëvendosjes. Ata që erdhën në emër të ndryshimit, po e katandisin Kosovën në vend të frikës dhe heshtjes. Këtë rënie e kemi ndjerë të gjithë. E kanë ndjerë gazetarët që janë sulmuar. E kanë përjetuar qytetarët që janë linçuar… Rënia e nivelit të lirisë së mediave nuk është rrëshqitje, por rrënim i qëllimshëm. Vetëvendosje ka ndërtuar një regjim linçimi dhe frikësimi. Sulme të koordinuara, të orkestruara, me një makineri propagande që targeton çdo zë kritik, veçanërisht në rrjetet sociale”, theksoi ajo.

    Deputetja e PDK-së shtoi se Kosova sot është viktimë e një pushteti të dështuar, duke shënuar rënie në çdo aspekt – ekonomik, social dhe të sigurisë.

    “Dhe nëse dikur kemi qenë dakord për një gjë me Albin Kurtin – ka qenë kjo: që Aleksandar Vuçiq është autokrat. Por sot, kur Kosova renditet më keq se Serbia në lirinë e shprehjes – duhet të pyesim me zë të lartë: Nëse liria e fjalës në Kosovë është më e kufizuar se në Serbi, atëherë çfarë i bie të jetë Albin Kurti? Kjo është pyetje që e sfidon ndërgjegjen e çdo qytetari. Kjo është pasqyra ku secili nga ne duhet ta shohë realitetin. Në fund të fundit, një pushtet që frikësohet nga fjala, është një pushtet që e di se nuk ka të drejtë. Dhe çdo pushtet që nuk ka të drejtë, nuk ka të ardhme. Ne jemi këtu për ta thënë këtë të vërtetë. Dhe do ta themi çdo ditë. Derisa e vërteta të bëhet pushtet. E fjala e lirë të bëhet sërish themeli i Republikës”, përfundoi Deliu-Kodra.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark