
Qeveria në detyrë e Kosovës ka kundërshtuar raportin vjetor të organizatës ndërkombëtare Reporterët pa Kufij për lirinë e shtypit, duke deklaruar të premten se në vend nuk ka mungesë të lirisë së shtypit, por rënie të standardit të vetë mediave.
Kosova ka shënuar rënien më të madhe në 15 vitet e fundit në këtë indeks ndërkombëtar, duke u renditur në vendin e 99-të nga gjithsej 180 shtete, shkruan Insajderi.
Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, tha për Radion Evropa e Lirë se raporti nuk pasqyron realitetin në Kosovë. “Ajo çka shohim ndër vite është rënie e standardit të mediave. Kur ky standard në rënie ballafaqohet me kundërpërgjigje si nga qytetarët ashtu edhe nga institucionet që janë subjekte të raportimeve joprofesionale, ato cilësohen si sulme dhe kërcënime, që pastaj përfshihen në raporte ndërkombëtare si ky i Reporterëve pa Kufij,” tha Kryeziu.
Ky është viti i dytë radhazi që Kosova bie në këtë indeks: nga vendi i 56-të në vitin 2024, në vendin e 75-të dhe tani në të 99-tin.
Kryeziu shtoi se “Kosova jo që nuk mund të jetë më keq se Serbia, por ajo gëzon dukshëm më shumë liri të mediave në rajon e gjetiu”.
Në raportin e publikuar në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Reporterët pa Kufij e renditën Kosovën si më të dobëtën në Ballkanin Perëndimor dhe në mesin e vendeve të BE-së.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) reagoi ashpër ndaj renditjes. “AGK-ja është thellësisht e shqetësuar me këtë renditje, më e ulëta për një dekadë, që prej vitit 2015. Megjithatë, e sheh si reflektim të një politike të vazhdueshme aktive armiqësore të dy vjetëve të fundit të udhëhequr nga Qeveria e partisë politike, Vetëvendosje”, thuhet në reagimin e tyre.
Sipas raportit, përveç Kosovës, edhe Sllovakia, Bosnja dhe Serbia po përballen me krizë ekzistenciale të mediave për shkak të shkurtimeve buxhetore dhe ndikimit politik.