
Një vrasje e rëndë dyshohet se ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Prizren. Dyshohet se babai ka vrarë nga jeta njërën nga vajzat e tij derisa ka therur me thikë gruan dhe vajzën tjetër. Emergjenca në QKUK e ka pranuar sot rreth orës 08:10 vajzën 10 vjeçare.
Ajo është transferuar për trajtim të mëtutjeshëm në Klinikën e ORL’së dhe gjendja e saj është stabile.
“Sot, rreth orës 8:10, në Shërbimin Klinik Emergjent të QKUK-së është paraqitur një rast (2015 vj, femër), që ka kërkuar ndihmë mjekësore urgjente. Pas pranimit, pacientja i është nënshtruar ekzaminimeve të nevojshme dhe ka marrë trajtimin emergjent nga ekipi profesional shëndetësor. Pas stabilizimit fillestar dhe vlerësimit të gjendjes, pacientja është transferuar për trajtim të mëtutjeshëm në Klinikën e ORL-së (Otolaringologjisë). Sipas ekipit mjekësor të kësaj klinike, gjendja e pacientes për momentin është stabile dhe nën monitorim të vazhdueshëm”, ka thënë Mirlinda Qyqalla nga QKUK.
Prokuroria njoftoi se ngjarja ishte vrasje e rëndë dhe ka ndodhur rreth orës 05:30, në rrugën “Shote Galica” në Prizren.
“Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, dyshohet se krimi ka ndodhur brenda rrethit familjar, ku i dyshuari – (shtetas turk), babai i vajzave, dyshohet se me një mjet të mprehtë (thikë) ka privuar nga jeta vajzën e tij rreth moshës 15-vjeçare, e cila ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.Po ashtu, vajza tjetër, rreth moshës 10-vjeçare, ka pësuar lëndime trupore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë. E njëjta është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejmë mjekësor. Po, ashtu lëndime trupore ka pësuar edhe bashkëshortja e të dyshuarit (nëna e vajzave). I dyshuari gjithashtu është vetlënduar, por është jashtë rrezikut për jetë”,thuhet nga Prokuroria e Prizrenit.