PDK akuzon VV-në për bllokadën - Propozon formimin e qeverisë nga opozita - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    PDK akuzon VV-në për bllokadën – Propozon formimin e qeverisë nga opozita

    Insajderi
    07 May 2025 - 17:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku ka diskutuar rreth zhvillimeve të fundit politike në vend, bllokadës institucionale dhe iniciativave të ndryshme politike që po qarkullojnë në skenën parlamentare.

    Në një komunikatë për media, PDK ka vlerësuar se vendi ndodhet në një krizë të thellë institucionale, për të cilën bën përgjegjës koalicionin fitues të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Sipas PDK-së, ky koalicion, në mungesë të shumicës parlamentare, po e mban Kosovën të bllokuar dhe peng të interesave të ngushta partiake.

    “Çdo iniciativë që synon zgjidhjen e kësaj bllokade, meriton të dëgjohet dhe të diskutohet”, thuhet në deklaratë.

    PDK ka bërë të ditur se që nga përfundimi i zgjedhjeve ka zhvilluar takime me të gjitha partitë parlamentare, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje, të cilën e konsideron përgjegjëse kryesore për krizën. Kjo, sipas partisë, është dëshmi se ajo mbetet e përkushtuar ndaj dialogut dhe bashkëpunimit si rrugë për rikthimin e normalitetit institucional.Insajderi.org

    Njoftimi i plotë:

    Komunikatë për Media

    Prishtinë, 7 maj 2025 – Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë për të diskutuar zhvillimet e fundit politike, bllokadën institucionale, si dhe propozimet e iniciativat politike aktuale.

    PDK vlerëson se vendi ndodhet në një krizë të thellë institucionale, si pasojë e sjelljes së papërgjegjshme politike të koalicionit që ka dalë i pari në zgjedhje, por i cili në mungesë të shumicës parlamentare po vazhdon ta mbajë peng Kosovën. Në këtë situatë, çdo iniciativë që synon zgjidhjen e bllokadës, meriton të dëgjohet dhe diskutohet.

    Për këtë arsye që nga përfundimi i zgjedhjeve të 9 shkurtit, Partia Demokratike e Kosovës ka zhvilluar takime me të gjitha partitë politike parlamentare – përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje, ndonëse e konsiderojmë atë përgjegjëse kryesore për krizën aktuale. Ky angazhim është shprehje e bindjes sonë se dialogu dhe bashkëpunimi janë rruga e vetme për të dalë nga krizat politike dhe për të rikthyer normalitetin institucional.

    Andaj, sikur në të kaluarën, as sot dhe as në të ardhmen, ne nuk do të shmangemi nga çfarëdo takimi në interes të qytetarëve.

    Në këtë frymë, konsiderojmë se Presidentja e Republikës, si institucion mbi-partiak dhe me mandat legjitim, mund të ndërmarrë hapat e nevojshëm për thirrjen e një takimi me të gjitha subjektet politike parlamentare. Një tryezë gjithëpërfshirëse, mund të jetë hapi i duhur për gjetjen e rrugëdaljes nga kriza institucionale.

    PDK angazhohet dhe është e bindur se zgjidhja më e mirë për vendin është formimi i një qeverie të re, e përbërë nga partitë që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë. Një qeveri që do të ndalte degradimin institucional, do ta nxirrte Kosovën nga izolimi ndërkombëtar dhe do të zbatonte politika zhvillimore për të gjithë qytetarët, pa dallim. Me një listë të dakorduar të prioriteteve shtetërore, të cilat do ta rikthenin Kosovën në rrugën e duhur të zhvillimit dhe të integrimit euroatlantik.

    Njëkohësisht, PDK i bën thirrje koalicionit VV – GUXO – Alternativa që të mos abuzojë edhe më tej me të drejtën kushtetuese për propozimin e kandidatit për Kryetar të Kuvendit, por, të pranojë realitetin politik dhe të reflektojë për të mos e mbajtur peng edhe më tutje shtetin për interesa të ngushta partiake.

    Kosova ka nevojë për institucione funksionale sa më parë. PDK mbetet e angazhuar për të dhënë kontributin e saj në një proces demokratik dhe kushtetues që çon drejt zgjidhjes.

    Kosova meriton ma shumë. Kosova mundet ma mirë!


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark