Është arrestuar i dyshuari për shpërthimin e ndodhur në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku cak i sulmit dyshohet të ketë qenë automjeti i ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari. Arrestimi është kryer të mërkurën në qytetin e Podujevës dhe ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit.
Sipas burimeve të gazetës Insajderi, i arrestuari është Bajram Kiqmari, një person me të kaluar të njohur kriminale.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës përmes një njoftimi zyrtar në faqen e saj në Facebook.
“Në kuadër të veprimeve hetimore dhe bazuar në urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, më datë 07.05.2025 është realizuar një operacion policor në një lokacion në komunën e Podujevës, ku është arrestuar një person i dyshuar,” thuhet në njoftimin e policisë.
Bajram Kiqmari ishte arrestuar më herët, në vitin 2017, nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës, nën dyshimet për përfshirje në vrasjen e dy zyrtarëve të UNMIK-ut dhe për tentim-vrasjen e dy të tjerëve, në një ngjarje të ndodhur në vitin 2004. Për të njëjtin rast, ai ishte arrestuar edhe në vitin 2014.
Në operacionin e vitit 2017, krahas Kiqmarit, ishte arrestuar edhe Alban Dizdari. Megjithatë, në shtator të po atij viti, Gjykata Supreme nxori aktvendim për lirimin e Kiqmarit dhe një të akuzuari tjetër, me arsyetimin se ndaj tyre ekzistonte një aktgjykim i mëparshëm për pushimin e hetimeve dhe se nuk mund të gjykoheshin përsëri për të njëjtën çështje.
Kiqmari u arrestua në një aksion të madh të policisë së Kosovës dhe EULEX-it, në të cilin kishin marrë pjesë 135 policë. Në këtë aksion ishte bastisur shtëpia e njërit prej kriminelëve të përfshirë në krime të ndryshme në Kosovë, përfshirë vrasje, kidnapime, haraç etj.
Shtëpia e familjes së të vrarit Agron Sylejmani në një fshat të Podujevës ishte cak i bastisjeve. Sylejmani është vrarë në vitin 2004 në një aksion të cilësuar terrorist kundër një patrulle të policisë.
Policia kishte arrestuar disa persona për këtë akt, por vetëm njëri prej tyre është dënuar më 30 vjet burgim: Shkumbin Mehmeti.
Në këtë sulm ishin vrarë policët Arsim Rrustolli dhe Kujo Osoman nga Gana e Afrikës që punonte në kuadër të Policisë së UNMIK-ut.
Ndryshe, të akuzuar në këtë rast për vrasjen e zyrtarëve policorë kishin qenë edhe Bajram Kiqmari dhe Faik Shaqiri, mirëpo Gjykata Supreme në shtator 2017, kishte nxjerrë aktvendim për lirimin e tyre, pasi sipas kësaj gjykate, dy të akuzuarit ishin gjykuar vite më parë rreth kësaj ngjarjeje dhe se ekziston një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre.
Ish-Gjykata e Qarkut e Prishtinës, më 9 nëntor 2007, fajtor për sulmin që ishte konsideruar si terrorist e kishte shpallur vetëm Shkumbin Mehmetin, të cilin e kishte dënuar me 30 vite burgim, ndërsa i kishte liruar nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin.
Prokuroria e EULEX-it, më 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dezdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, për shkak të kryerjes së veprave penale “Vrasje e rëndë” dhe “Vrasje në tentativë”.
Sipas aktakuzës, katër të akuzuarit më 23 mars 2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut, të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.
Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër pasagjerëve të saj, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe zyrtarin policor të Kosovës, A.Rr, të cilët kishin qenë duke i kryer detyrat e tyre të mbrojtjes së rendi ligjor.
Lëndime nga plumbat e shkrepur kishin pësuar zyrtari i Policisë së Kosovës, Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut, Ramë Zeneli.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit qëllimisht kishin rrezikuar jetën e më shumë personave, të cilët ishin në automjete që vinin prapa veturës së UNMIK-ut, duke vepruar për motive nacionaliste dhe qëllimisht kishin kryer këto dy vrasje.