
Në vitin 2005, Mihal Delijorgji regjistroi në Shqipëri kompaninë ‘PARK CONSTRUCTION ALBANIA’ sh.p.k. Në dokumentet zyrtare, ai shfaqet si administrator dhe përfaqësues i vetëm. Kompania është krijuar për ndërtim dhe menaxhim pronash, me seli në zonën e ish-Parkut të Ministrisë së Brendshme në Tiranë, shkruan Pamfleti.
Paralelisht me këtë kompani, po në vitin 2005, Mihal Delijorgji themeloi një tjetër strukturë në Liberi të Afrikës: një kompani offshore me emrin BRAMMER VENTURES CO. LTD. Ajo është regjistruar me 500 kuota kapitali “pa emër” (bearer shares), që nuk mund të gjurmohen dhe mund të kalojnë dorë më dorë pa lënë gjurmë. Adresa e saj: 80 Broad Street, Monrovia, Liberia. Agjent i regjistruar: The LISCR Trust Company – një strukturë që ofron shërbime anonimiteti.
Kjo kompani nuk ka aktivitet tregtar, as zyra, as të dhëna të hapura. Qëllimi i saj është të mbajë aksione, për të mos i lidhur kurrë me pronarin real.
Në qershor 2008, Mihal Delijorgji largohet nga drejtimi i ‘PARK CONSTRUCTION’. Në vend të tij emërohet Vjollca Delijorgji, bashkëshortja. Që nga ajo ditë e deri më sot, ajo ka firmosur të gjitha aktet si administratore. Lëvizja ishte e qartë: të shmangej çdo lidhje direkte e Mihalit me ndërtimet që do pasonin.
Në verën e vitit 2013, Kristo Delijorgji, vëllai i Mihalit, del si ortak i vetëm i BRAMMER VENTURES. Kjo kompani zotëron 49% të aksioneve të PARK CONSTRUCTION.
Në këtë pikë, familja Delijorgji është e ndarë nga pasuria vetëm në letër. Në realitet, ata kontrollojnë si aksionet, ashtu edhe administrimin.
Më 16 prill 2021, ndodh transaksioni që mbyll skemën:
MANDALAY GROUP HOLDINGS CORP, një kompani offshore e regjistruar në Ishujt e Virgjër Britanikë (BVI), ja shet 51% të aksioneve të PARK CONSTRUCTION kompanisë tjetër offshore, SVEIN CONSULTING LTD, për vetëm 51.000 lekë, një shifër e padenjë, e cila ngre dyshime konkrete për pastrim kapitali.
”Svein” është e regjistruar në Ishujt Marshall. Ajo nuk ka asnjë zyrë, asnjë aktivitet, asnjë të punësuar. Aksioneri i vetëm është një shtetas grek me emrin Ioannis Mytilinaios, që figuron në dhjetëra kompani guackë të regjistruara për të fshehur pronarë realë në Ballkan e më gjerë.
Pas këtij transaksioni, në QKB, asnjë shqiptar nuk rezulton më si pronar i kompanisë ‘PARK CONSTRUCTION’. Por kontrolli i saj mbetet në duart e familjes Delijorgji; përmes Vjollca Delijorgji si administratore dhe Kristo Delijorgji si pronar i 49%.
Kompleksi është ndërtuar mbi pasurinë me numër 6/284, në zonën kadastrale 8220, me adresë Rruga e Kavajës, Njësia Bashkiake nr. 7, Tiranë. Në dokumentet e QKB dhe ASHK, kjo pasuri rezulton pronë ekskluzive e ‘PARK CONSTRUCTION ALBANIA’.
Të gjitha ambientet nëntokësore, vendet e parkimit dhe hapësirat shërbimi janë në emër të kompanisë, jo të individëve. Kjo skemë është përdorur për të:
shmangur hetimin pasuror
shmangur kontrollin tatimor
shmangur sekuestrimet e mundshme në rast hetimi penal
Ka sinjale të forta se tek kompleksi “Delijorgji” kanë blerë apartamente dhe biznese eksponentët më të rrezikshëm të krimit në Shqipëri dhe jashtë saj. Në disa raste janë zbuluar transaksione të kryera mes familjarëve të familjes Delijorgji dhe familjarëve të këtyre eksponentëve, të cilët janë përdorur për të justifikuar blerjen formale të pronave.
Bandat kanë blerë lokale, restorante dhe biznese luksi brenda kompleksit, që zyrtarisht figurojnë në emër të palëve të treta, por kontrollohen realisht nga vetë ata. Mihal Delijorgji i përdor këto struktura për interesa të veta personale dhe ekonomike. Në çdo rast, pasuria është e mbrojtur nga një sistem offshore-i që ka ngritur pikërisht për të mos u kapur nga drejtësia.
Edhe politikanë të niveleve të larta; ministra, ish-kryetarë bashkish, drejtues policie dhe gjyqtarë, kanë përfituar prona në këtë kompleks përmes kontratave fiktive ose marrëveshjeve nën dorë. Këto prona nuk figurojnë në deklaratat e pasurisë dhe janë regjistruar në emra të besuar, për të shmangur çdo gjurmim ligjor.
Mihal Delijorgji e ka përdorur kompleksin si “garant të pandëshkueshmërisë”; duke strehuar aty klientët e tij politikë dhe partnerët e tij në botën e errët. Dhe për ta blinduar gjithçka, ka ngritur një rrjet offshore-sh që e mbron nga tatimet, hetimet dhe çdo sekuestrim të mundshëm.
Kush eshte Mihal Delijorgji
Mihal Delijorgji nuk është një ndërtues i zakonshëm. Ai është “trusti i zi” i ndërtimit, i vënë në shërbim të pesë familjeve mafioze që kanë kontrolluar pushtetin në Shqipëri gjatë gjithë tranzicionit: Nano, Meta, Berisha, Rama dhe Basha. Të gjitha të përfshira përmes emrave sekserë, përfaqësues ligjorë, leje ndërtimi dhe pazare për truall.
Në vitin 1998, Mihal Delijorgji ishte ende një emigrant anonim në Greqi, me 8 klasë shkollë dhe 1 vit kurs për eskavatorist. Por brenda një viti, ai hyn në zyrat e qeverisë Nano-Meta-Majko si “biznesmen strategjik” për të pastruar miliardat e piramidave, jo në banka, por në skrap.
Filloi me tanket dhe topat e ushtrisë, të cilat iu shitën nga Ministria e Mbrojtjes me kontratë të firmosur nga Pandeli Majko. Çdo tank shitej me 300 mijë lekë. Jo si armë, por si hekur. Përmes firmës “Hellenic Vehicle Industry”, të grekut Evangellos Mytilineos, mik i Fatos Nanos, Mihali i kthente në milionë euro çelik special dhe alumini që shkonte në ndërtim.
Në vetëm një bazë ushtarake; “Arshi Lengo” në jug, Delijorgji mori 142 tanke dhe 136 topa, me peshë nga 16 deri në 40 ton secili. Materiali shitej me letra, por makineritë e tjera të ndërrmarrjeve publike merreshin pa dokumente, si “pastrim mjedisi”.
Transporti bëhej me trajlera pa targa dhe me logon “Përparimi Sh.A”, një firmë e cila zyrtarisht figuron si pronë e grekut, por që administrohej nga Mihal dhe Kristo Delijorgji.
Në këtë periudhë, Mihali filloi të fusë në dorë strukturat metalike dhe makineritë e 350 ndërmarrjeve shtetërore, që shiteshin si “mbetje industriale” dhe çmontoheshin pa asnjë kontroll.
Ndërkohë, përmes baxhanakut të tij, Blendi Gonxhe, në atë kohë nënkryetar i Bashkisë Tiranë, Delijorgji fillon të marrë edhe leje ndërtimi në zonat më të lakmuara të qytetit… /Pamfleti, transmeton Insajderi.