
Nesër, më 12 maj 2025, në ora 11:00, deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të dorëzojnë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit të Kosovës, me të cilin ishte refuzuar formimi i Komisionit për votim të fshehtë.
Në këtë kërkesë përfshihen edhe të gjitha vendimet e tjera me përmbajtje dhe natyrë të njëjtë, të marra gjatë seancave paraprake dhe të mëvonshme të Kuvendit, që lidhen me të njëjtën çështje.
Të gjitha këto janë të dokumentuara në “Transkriptin e Mbledhjes Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, e cila është mbajtur në datat 15, 17, 19, 21, 23, 25, 27 dhe 29 prill, si dhe më 1, 3 dhe 5 maj 2025.
AAK e konsideron refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë si shkelje të të drejtave parlamentare dhe të rregullores së punës së Kuvendit, duke theksuar se një vendim i tillë bie ndesh me parimet kushtetuese të funksionimit demokratik të institucionit.