
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka pranuar ftesën e presidentes Vjosa Osmani për pjesëmarrje në takimin me partitë politike.
Këtë e ka konfirmuar deputetja Mimoza Kusari-Lila në një prononcim për media në hollin e Kuvendit pas ndërprerjes së seancës konstituive.
“Besoj që përgjigja është pozitive për pjesëmarrje në takim”, tha Kusari-Lila.
Deputetja e LVV-së theksoi se takimi ka të bëjë me konstituimin e Kuvendit, duke shtuar se zyra e presidentes nuk duhet të përdoret për marrëveshje politike, por për të diskutuar krizën aktuale dhe mundësitë për zhbllokim institucional.
“Kryetari Kurti ka marrë ftesën dhe besoj që përgjigja është pozitive për pjesëmarrje në takim. Nënkuptohet se takimi ka të bëjë me konstituimin e Kuvendit, për arsye se nuk mundet që zyra e Presidentes të përdoret për marrëveshje politike, por do të diskutohet ky proces këtu që po dështon në mungesë të pjesëmarrjes në votim të një numri të konsiderueshëm të deputetëve, dhe natyrisht dhe për hapat e mëtejshëm”, deklaroi deputetja e LVV-së.