ZKM për takimin Costa-Kurti: Kosova është evropiane në vlera - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    ZKM për takimin Costa-Kurti: Kosova është evropiane në vlera

    Insajderi
    14 May 2025 - 21:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    ZKM ka dërguar një komunikatë për media për takimin që Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Antonio Costa, zhvilloi sonte në Prishtinë me kryeministrin në largim Albin Kurti, transmeton Insajderi.

    ZKM njofton se në fillim të takimit, teksa i uroi mirëseardhje presidentit Costa, Kurti tha: “Kosova është evropiane në vlera, në histori dhe në kulturë dhe jemi plotësisht të përkushtuar për t’u bërë vend anëtar i Bashkimit Evropian”.

    ZKM njofton se Kurti kërkoi nga presidenti Costa rol aktiv për dërgimin e pyetësorit dhe dhënien e statusin të vendit kandidat.

    “Ai gjithashtu, kërkoi heqjen e plotë dhe të menjëhershme të masave kufizuese të BE-së ndaj Kosovës. Ndër të tjera, veçoi se sipas organizatave ndërkombëtare si Freedom House, Transparency International dhe World Justice Project, Kosova ka shënuar përparimin më të madh në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, rendin dhe sigurinë, ka ekonominë me rritjen më të shpejtë në rajon sipas Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, si dhe Kosova është e para që ka dorëzuar në kohë Agjendën e Reformave të Planit të Rritjes të BE-së. Kryeministri theksoi se Kosova ka bërë progres në plotësimin e reformave, siç dëshmohet në raportet e Progresit të BE-së për Kosovën”, thekson ZKM.

    Gjatë diskutimit u bisedua edhe për sigurinë rajonale.

    ZKM vijon se “Kurti tha që kërcënimet për rajonin vijnë nga Serbia, e cila është përgjegjëse për sulmin paramilitar dhe terrorist në Banjskë në shtator të vitit 2023, dhe lidhjet e vazhdueshme të saj me Federatën e Rusisë. Kryeministri kërkoi që Radoiçiq t’i dorëzohet institucioneve të drejtësisë së Kosovës”.

    Në takim, sipas ZKM, Kurti “gjithashtu ngriti shqetësimin për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Shqiptarët në Luginë të Preshevës janë të nën-përfaqësuar në institucionet publike, diskriminohen në punësim dhe të drejtat e tyre shpërfillen në mënyrë të vazhdueshme”, tha ai.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark