Vajza e Shpejtim Bulliqit një hap afër punësimit si zyrtare në MASHT - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Vajza e Shpejtim Bulliqit një hap afër punësimit si zyrtare në MASHT

    Insajderi
    16 May 2025 - 12:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Egzona Bulliqi, vajza e kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi është afër punësimit si ‘zyrtare e lartë për edukim në fëmijëri të hershme’ në Ministrinë e Arsimit e udhëhequr nga ministrja në detyrë, Arbërie Nagavci. Egzona është radhitur në listën e kandidatëve të aprovuar. Insajderi sjell detajet nga ky konkurs.

    Gazeta Insajderi

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, me 10 mars të këtij viti ka hapur konkurs për pozitën e punës “Zyrtar i lartë për edukim në fëmijëri të hershme”.

    Afati për aplikim ka qenë deri me nëntë prill.

    Gjithësej janë 22 kandidat që kanë kaluar në listën e të aprovuarve.

    Ndërkohë, afati për aplikim ishte shtyrë edhe 15 ditë, si shkak i “numrit të madh të procedurave të rekrutimit në zhvillim, dhe për përfundimin e procedurës së verifikimit të aplikacioneve”.

    Në mesin e kandidatëve të aprovuar është Egzona Bulliqi.

    Egzona Bulliqi është vajza e kryetarit të komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i partisë së Vetëvendosjes.

    Gazeta Insajderi ka siguruar edhe një foto të Shpejtim Bulliqit, ku shihet me vajzën e tij Egzonën.

    Insajderi ka pyetur Ministrinë e Arsimit, se a ka ndonjë avancim me ndikim nga babai i saj, Shpejtim Bulliqi, apo ndonjë konflikt interesi, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.

    Para disa muajve Gazeta Insajderi ka raportuar edhe për punësimin e djalit të Shpejtim Bulliqit, si zyrtarë në Qendrën e Studentëve, në pozitën e zyrtarit për Sport dhe Rekreacion.

    Në konkursin e hapur ishin cekur dy kritere. E Para ‘Diplomë Universitare’ dhe e dyta ‘të paktën 1 vit përvojë pune në këtë lami”.

    Kandidati i përzgjedhur, Arbër Bulliqi ka ofruar dëshmi për të parën pasi ai ka diplomuar në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sporteve në mars të vitit 2023.

    Gazeta Insajderi ka konfirmuar këtë nga postimi i Shpejtim Bulliqit në Facebook I cili ka uruar të birin për diplomim.

    Por, dyshimet ishin tek përvoja e punës. Ende nuk dihet nëse Arbër Bulliqi ka ofruar dëshmi se ka pasur 1 vit përvojë pune në fushën e sporteve dhe rekreacioneve pasi ai ka diplomuar vitin e kaluar.

    Gazeta Insajderi ka raportuar vazhdimisht edhe për punësimet familjare e partiake në komunën e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark