
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte nikoqiri i Samitit të VI të Komunitetit Politik Evropian, i cili u mbajt në Tiranë dhe mblodhi 47 liderë evropianë nga e gjithë kontinenti.
Gjatë fjalës përmbyllëse në sesionin e parë të samitit, Rama ndau me të pranishmit një pjesë të rëndësishme të traditës shqiptare – mikpritjen – duke cituar një thënie të njohur nga Kanuni i Lekë Dukagjinit:
“Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut.”
Kjo fjali, tha Rama, përfaqëson thelbin e kulturës shqiptare dhe shpjegon pse gjatë Luftës së Dytë Botërore Shqipëria ishte ndër të paktat vende që strehoi e mbrojti hebrenj, shpeshherë me rrezik për jetën.
“Dua të ndaj me ju faktin që në kanunin tonë që është shkruar kohë më parë ka një kapitull që ka të bëjë me mikpritjen që thotë se ‘Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut’. Kjo fjali është vërtet shumë e thellë, dhe është edhe origjinë e faktit që ne arritëm në fund të Luftës së Dytë Botërore si vendi që kishte më shumë hebrenj të cilët shqiptarët i mbrojtën me jetën e tyre,” u shpreh kryeministri.
Duke e kthyer fjalimin në një moment të ngrohtë dhe plot humor, ai shtoi: “Thuhet se dreka nuk është kurrë falas, por sot do ta shikoni që është e kundërta. Sa herë që të vini në Shqipëri, në çfarëdo cilësie, do të jeni gjithmonë të mirëpritur.”