Tender 18.4 milionësh dhe mirëseardhjeje e ngrohte në parti- Shkëlqen bashkëpunimi mes LDK-së e Blerim Kuçit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Tender 18.4 milionësh dhe mirëseardhjeje e ngrohte në parti- Shkëlqen bashkëpunimi mes LDK-së e Blerim Kuçit

    Insajderi
    16 May 2025 - 19:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Blerim Kuçi i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kryetari i kësaj partie Lumir Abdixhiku përmes një njoftimi i uroi mirëseardhje atij. “Me Ardianin, po ndërtojmë një ekip të fitores për Suharekën në zgjedhjet e ardhshme lokale“, u shpreh Abdixhiku. Por, ky nuk është bashkëpunimi i parë LDK e Kuçi. Disa muaj më parë “Gjini Construction” dhe “Hidroterm” të dyja këto kompani janë të lidhura me familjarë të Blerim Kuçit, kanë fituar tenderin 18 milionësh të Komunës së Prishtinës.

    Gazeta Insajderi

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka njoftuar sot se Blerim Kuçi i është bashkuar kësaj partie.

    Abdixhiku shkroi se: Me Ardianin, po ndërtojmë një ekip të fitores për Suharekën në zgjedhjet e ardhshme lokale.

    Ai tha se këtij qyteti do t’i japin program lokal si asnjëherë më parë.

    “Vizitova Suharekën. Mes punës së madhe për forcim e ribashkim, Blerim Kuqit i urova rikthim në familjen tonë të madhe. Me Ardianin, po ndërtojmë një ekip të fitores për Suharekën në zgjedhjet e ardhshme lokale. Mes optimizmit të madh e frymës që po na ndërtohet, këtij qytetit do t’i japim dhe ekip dhe program lokal si asnjëherë më parë”, shkroi ai.

    Tenderi 18 milionësh, çka e lidh LDK-në me Kuçin?

    Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë përfshirë në një përplasje të vazhdueshme tash e disa muaj, lidhur me projektin për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” në kryeqytet. Komuna po insiston në realizimin e transformimit urban, ndërsa Ministria po deklaron se integriteti i monumenteve përreth rrezikohet nga ndërtimi i planifikuar i strukturave të reja.

    Më 31 janar, Komuna e Prishtinës kishte njoftuar për dhënien e tenderit për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” në kryeqytet.

    Njoftimi për dhënie të tenderit ishte publikuar të premten, më 30 janar 2025, ndërsa vlera e këtij tenderi ishte parashikuar të ishte 18 milionë e 162 mijë e 896 euro.

    Sipas njoftimit të publikuar në platformën e-Prokurimi, për ndërtimin e këtij sheshi ishte rekomanduar grupi i operatorëve ekonomikë “Salillari; Gjini Construction Sh.P.K; Hidroterm Sh.P.K”.

    “Gjini Construction” dhe “Hidroterm”. Të dyja këto kompani janë të lidhura me familjarë të Blerim Kuçit, ish-kryetar i Suharekës nga AAK-ja. Pronar i “Gjini Construction” sh.p.k  është kompania “Hidroterm Holding”.

    “Hidroterm Holding” është regjistruar në ARBK, më 6 nëntor 2024. Pronarë të saj janë familjarët e ish-kryetarit të Suharekës nga radhët e AAK-së, Blerim Kuçi.

    Konkretisht, pronarët janë djali i Blerimit, Genc Kuçi, me 71.97% të aksioneve, vajza e tij, Blerta Kuçi, me 22.73%, dhe dhëndri i Blerimit, Nol Paloka – bashkëshorti i Blertës – me 5.30%.

    Gjithashtu, në konsorcium me kompaninë “Salillari” dhe “Gjini Construction” është kompania “Hidroterm” sh.p.k., e themeluar nga vetë Blerim Kuçi, e cila gjithashtu është në pronësi të “Hidroterm Holding”.

    Blerim Kuçi nga sot është zyrtarisht pjesë e LDK-së. Ai u rikthehye në politikë pas një pauze disa vjeçare pas largimit nga AAK-ja në vitin 2022.

    /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark