
Punëtorët e ndërmarrjes publike “Pastrimi” dje kanë protestuar para Komunës së Prishtinës, duke shpërthyer me deklarata të ashpra për shkak të mospagesave të borxheve nga ana e komunës ndaj kompanisë, shkruan Insajderi.
Protestuesit të revoltuar dhe me tone të larta, kanë akuzuar institucionet për neglizhencë, ndërsa kanë kërkuar urgjentisht zgjidhje për situatën që, sipas tyre, po rrezikon mirëqenien e tyre dhe të familjeve të tyre.
“Pasha Zoti, krejt jemi në gjendje edhe me kallë.S’ka me lu me fëmijë tanë” – kishte thënë dje njëri prej protestuesve.
Sipas tyre, Komuna e Prishtinës po dështon të kryejë obligimet financiare ndaj ndërmarrjes, duke ndikuar drejtpërdrejt në pagesat e punëtorëve dhe në funksionimin normal të shërbimeve të pastrimit në qytet.
Kush ishte në krye të Sindikatës së Pastrimit që protestoi dje, dhe a ishte akt politik?
Gjatë protestës së djeshme, në mesin e protestuesve janë parë edhe dy figura që shprehin hapur favorizimin ndaj një partie politike. Duke shtuar dyshimet për protestë me akte politike.
Në protestë u pa edhe Elird Xhemaili. Xhemaili figuron se është “drejtor i Operativës në kompaninë Regjionale e Mbeturinave Pastrimi”. Kështu i shkruan në profilin e tij në Facebook.
Jo vetëm, Xhemaili është djali i ish kryetarit të Ferizajit, Bajrush Xhemailit. Edhe aktivist i Partisë Demokratike të Kosovës.
Protestues ishte edhe Liridon Geci.
Liridon Geci shihet se është aktivist i Partisë Demokratike të Kosovës. Madje ai ka foto edhe në shoqërinë e kryetarit të Skenderajt Fadil Nura, dhe Sami Lushtakun.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe kryetarin e sindikatës Pastrimi, Flori Cakiqin. I cili e mohoi se ka ndonjë akt politik në protestat e Pastrimit.
Ai tha se të dy kanë pozita në ndërmarrje.
“Geci është menaxher, Xhemaili është drejtor i operativës, dalin në protesta për të drejtat e punëtorëve, për rrogat e tyre, nuk lidhet, kurgjo s’ka të bëjë me politikë”, tha ai mes tjerash.
Insajderi ka raportuar lidhur me këtë çështje, pasi i pari i Prishtinës, Përparim Rama kishte takuar dikë nga “Pastrimi”. Por, del që janë dy sindikata.
Përmes një komunikate ka reaguar sindikata që nuk ishte fare në takim nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, shkruan Insajderi.
Sindikata “Punëtori” e Ndërmarrjes Publike KRM “Pastrimi”, përmes një komunikate ka reaguar ashpër pas një takimi të mbajtur me përfaqësues të Komunës së Prishtinës, duke shprehur zhgënjim për mungesën e përgjigjeve konkrete dhe për mosgatishmërinë për të adresuar kërkesat e punëtorëve.
Sipas sindikatës, në vend të takimit me përfaqësuesit e tyre legjitimë, Kryetari Rama është takuar me një sindikatë tjetër, jolegjitime, duke tentuar të bëjë diversion nga problemi dhe të shmangë takimin e vërtetë me përfaqësuesit realë të punëtorëve.