
Ish-politikani ukrainas, Andriy Portnov, është qëlluar për vdekje pranë një shkolle në një lagje të pasur të Madridit.
Rreth orës 09:15 të mëngjesit, policia mori një telefonatë për një shtetas ukrainas që ishte qëlluar përpara Shkollës Amerikane të Madridit, e cila ndodhet në Pozuelo de Alarcón. Autoritetet e konfirmuan ngjarjen për agjencinë Reuters, pa dhënë fillimisht identitetin e viktimës, sipas The Guardian.
Viktima rezultoi të ishte Andriy Portnov, ish-këshilltar i lartë i Presidentit të dikurshëm të Ukrainës, Viktor Janukoviç, i cili u rrëzua nga pushteti në vitin 2014.
Që prej fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, Spanja ka qenë skenë e disa ngjarjeve kriminale që kanë përfshirë qytetarë me profil të lartë nga Rusia dhe Ukraina. Kjo nuk është rastësi, pasi vendi ka komunitete të konsiderueshme emigrantësh nga të dy vendet.
Në nëntor dhe dhjetor të vitit 2022, u dërguan gjashtë bomba me postë në disa objektiva të rëndësishëm në Spanjë, përfshirë kryeministrin Pedro Sánchez, Ambasadën e Ukrainës në Madrid, disa zyra qeveritare, një kompani satelitore të BE-së dhe Ambasadën e SHBA. Për këto ngjarje u arrestua dhe u burgos një 76-vjeçar, ish-punonjës civil spanjoll, i cili në rrjetet sociale shprehte simpati për Rusinë.
Në prill 2022, një biznesmen rus i lidhur me kompaninë energjetike Novatek u gjet i vdekur së bashku me gruan dhe vajzën e tij, në një rast që dyshohet të jetë vetëvrasje e dyfishtë me thikë.
Ndërsa në shkurt të vitit 2024, një pilot rus që kishte dezertuar drejt Ukrainës me helikopterin e tij, u gjet i vrarë me disa plumba në garazhin e banesës së tij pranë Alicante-s. /Insajderi.org/