
Organet e rendit janë vënë pas gjetjes dhe identifikimit të personave që po kërcënojnë presidenten e vendit, Vjosa Osmani, shkruan Insajderi.
Prokuroria Speciale e ka autorizuar njësinë përkatëse të Policisë së Kosovës që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për identifikimin e personave që e kanë kërcënuar me jetë presidenten Vjosa Osmani.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka pranuar informacion nga Policia e Kosovës lidhur me rastin konkret. Në kuadër të kësaj ka autorizuar Njësinë përkatëse të policisë që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me identifikimin dhe zbulimin e kryeseve të mundshëm të veprës penale”, ka thënë Prokuroria në një përgjigje për Insajderin.
Presidenca e Kosovës, Vjosa Osmani së fundi ishte kërcënuar me jetë përmes një e-maili zyrtar.
E-maili është dërguar në adresën zyrtare të Presidencës dhe përmban gjuhë fyese e kërcënuese, duke përfshirë etiketime si “kriminele”, “ordinere” dhe “antikushtetuese”, si dhe kërcënime serioze për jetën e Presidentes.