Ministri Çeku me dy standarde në sportin kosovar: Mban peng ndërtimin e stadiumit për FK "Trepça", milionat shkojnë në Gjilan - Insajderi
×
  • Hulumtime/Analiza
  • Sport
  • Hulumtime/Analiza

    Ministri Çeku me dy standarde në sportin kosovar: Mban peng ndërtimin e stadiumit për FK “Trepça”, milionat shkojnë në Gjilan

    Insajderi
    22 May 2025 - 14:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prej katër vitesh, Klubi Futbollistik “Trepça” në Mitrovicë nuk ka mundur të shfrytëzojë një parcelë prej 18,782 m² në Zhabër të Epërm, ndonëse ajo ishte ndarë nga Komuna e Mitrovicës për ndërtimin e një kompleksi sportiv. Kjo zvarritje ka ardhur si pasojë e mungesës së vendimmarrjes nga ministri Hajrulla Çeku, i cili ditë më parë firmosi marrëveshje në vlerë 12 milionë euro për ndërtimin e stadiumit në Gjilan.

    Gazeta Insajderi

    Vendimi për ndarjen e parcelës është marrë më 29 prill 2021, me qëllim ndërtimin e një kompleksi sportiv për Akademinë e Futbollit dhe një fushë ndihmëse për zhvillimin e sportit lokal dhe avancimin e talenteve të rinj. Por, ky vendim vazhdon të mbetet në sirtarët e MKRS-së, pa ndonjë hap konkret drejt zbatimit të tij.

    Ndërkohë, e njëjta ministri ka nënshkruar kontratën për ndërtimin e stadiumit të qytetit në Gjilan – një projekt me vlerë mbi 12 milionë euro. Ky investim është mirëpritur nga kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, njëherësh bashkëpartiak i ministrit Çeku nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Përderisa Gjilani feston një investim milionësh, Mitrovica mbetet pa një hapësirë të domosdoshme për sportin dhe futbollistët e “Trepçës” mbesin ende në pritje.

    Reagimet e asamblistëve

    Zvarritja e projektit në Mitrovicë ka nxitur reagime të shumta, përfshirë edhe nga asamblistë lokalë. Asambleisti Fisnik Suma ka akuzuar ministrin Çeku për neglizhencë dhe bllokim të qëllimshëm të zhvillimit sportiv në Mitrovicë.

    Ka katër vite që KF ‘Trepça’ nuk mund të shfrytëzojë parcelën e ndarë nga Komuna, për shkak të mungesës së veprimit nga Ministri Çeku. Ky vendim i pambështetur me nënshkrim po e pengon zhvillimin e sportit në qytet, dhe kjo papërgjegjësi duhet të ndëshkohet”, ka shkruar Suma në rrjetet sociale.

    Gazeta Insajderi ka kërkuar një përgjigje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit lidhur me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

    Ndërkohë, zëvendësministrja në detyrë, Daulina Osmani, bëri të ditur të martën se është nënshkruar kontrata me operatorin ekonomik për ndërtimin e stadiumit në Gjilan, duke e përshkruar si një arritje të rëndësishme për sportin lokal.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark