
Një incident i rëndë ka ndodhur të enjten paradite në një shkollë fillore në lagjen Wilhelmstadt të Berlin-Spandau, Gjermani.
Si pasojë, siç raportojnë mediat e huaja, një djalë 11-vjeçar është plagosur rëndë me thikë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se ngjarja ndodhi rreth orës 11:30 në ambientet e shkollës.
Sipas tyre, viktima është dërguar menjëherë në spital dhe i është nënshtruar një operacioni urgjent – dhe aktualisht, gjendja e tij raportohet si e qëndrueshme.
Ndërkohë, policia e Berlinit ka identifikuar një 13-vjeçar si autor të dyshuar të sulmit.
Ai është aktualisht në kërkim, ndërkohë që në operacionin e kërkimit janë përfshirë helikopterë dhe njësi me qen nuhatës.
Raportohet se fëmija i dyshuar dhe viktima ishin në të njëjtën klasë në momentin e ngjarjes, dhe se motivi i sulmit mbetet ende i paqartë.
Pas sulmit, rreth 20 fëmijë të shkollës janë trajtuar për gjendje shoku nga ekipet e emergjencës dhe ekipet e thirrura në vendngjarje.
Po ashtu, u ofrua mbështetje edhe për prindërit që arritën në shkollë pas marrjes së lajmit.
Për fat të mirë, nuk raportohet për persona të tjerë të lënduar.
Ndërkohë, autoritetet mbeten në gatishmëri të plotë për të kapur të dyshuarin dhe për të ndërmarrë hapat e nevojshëm në përputhje me ligjet për mbrojtjen e fëmijëve.
Pasi të kapet, atij pritet t’i bëhet një vlerësim i menjëhershëm mjekësor.