
Një sulm ajror izraelit në lagjen Al-Baraka të Gazës i mori jetën 11-vjeçares Yaqeen Hammad, aktivistja më e re mediatike dhe vullnetare humanitare në Rripin e Gazës.
Yaqeen punonte ngushtë me vëllain e saj, Mohamed Hammad, duke shpërndarë ndihma për familjet e zhvendosura dhe duke dokumentuar vështirësitë e përditshme të fëmijëve palestinezë. Ajo ishte gjithashtu pjesë e Kolektivit Ounea, një organizatë jofitimprurëse palestineze që mbështet nismat humanitare në territorin e rrethuar, shkruan Insajderi.
Pamjet e saj të shpërndara në rrjetet sociale tregonin momente nga përditshmëria nën rrethim: gatim në stufa të improvizuara apo shpërndarje ndihmash për fëmijët e zhvendosur. Një nga videot më të përhapura e tregonte Yaqeen-in duke gatuar pa gaz, me mbishkrimin: “Gaza, asgjë nuk është e pamundur.”
“Në video shpjegonte se si kishte ndërtuar këtë pajisje për të gatuar, pavarësisht se Izraeli kishte ndërprerë furnizimin me gaz. U bëfsh zog në parajsë, Yaqeen,” shkroi një përdorues në rrjetin X (ish-Twitter), në mesin e mijëra homazheve që u bënë në nder të saj.
Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, që nga tetori i vitit 2023, konflikti i vazhdueshëm ka shkaktuar vdekjen e 53,655 palestinezëve, mes tyre 16,500 fëmijë.
Vdekja e Yaqeen-it, një zë i guximshëm mes dhimbjes dhe shpresës, ka tronditur komunitetin ndërkombëtar dhe ka sjellë edhe një herë në qendër të vëmendjes realitetin e rëndë të fëmijëve në Gaza.