
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, po intervistohet për orë të tëra nga Njësia Hetimore e Policisë së Kosovës, me autorizim të Prokurorisë Speciale. Peci po intervistohet në cilësinë e të dyshuarit.
Lidhur me këtë ka reaguar, Ministrja në detyrë për Punë të Jashtme, Donika Gërvalla.
Ajo ka quajtur këtë aksion të Prokurorisë Speciale një “inskenim të gërditshëm”, duke e cilësuar si një hakmarrje kundër ministrit Peci.
“Sot pamë një inskenim të gërditshëm nga Blerim Isufaj kundër ministrit Faton Peci. Ky është një veprim i ulët hakmarrës ndaj betejës së suksesshme të Fatonit kundër korrupsionit dhe guximit të tij për t’u përballur me secilën shkelje të ligjit, pavarësisht se sa të rrezikshëm janë shkelësit dhe sa shumë shokë e ortakë kanë në Prokurorinë Speciale”, ka shkruar Gërvalla.
Ajo ka akuzuar përfaqësues të drejtësisë për përdorim të institucioneve për qëllime hakmarrëse, duke theksuar se veprime të tilla po drejtohen kundër figurave politike që, sipas saj, janë të pastra dhe të suksesshme.
“Kur pikërisht ata që e kanë për detyrë ta mbrojnë shtetin ligjor dhe qytetarët e Republikës nga krimi, i keqpërdorin organet e drejtësisë për hakmarrje dhe për të njollosur figura të tilla, atëherë asgjë më nuk duhet të na habisë”, ka shtuar ajo.