Aeroporti Ndërkombëtar i Kosovës shënon rritje rekorde në vitin 2025 - Insajderi
×
  • Biznes
  • Biznes

    Aeroporti Ndërkombëtar i Kosovës shënon rritje rekorde në vitin 2025

    Insajderi
    28 May 2025 - 10:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Aeroporti Ndërkombëtar i Kosovës “Adem Jashari” (Limak Kosovo International Airport J.S.C – LKIA) po vazhdon të thyejë rekordet me një rritje të fuqishme të trafikut në vitin 2025. Vetëm gjatë tremujorit të parë të këtij viti, aeroporti ka shënuar një rritje mbresëlënëse prej 15.59% të udhëtarëve (PAX) dhe 16% të fluturimeve (ATM), krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Muaji prill ka vazhduar trendin pozitiv me një rritje edhe më të madhe prej 22.29% në PAX dhe 18.71% në ATM.

    Rritja e jashtëzakonshme e vitit të kaluar rezultoi në arritjen e udhëtarit të 4 miliontë në vitin 2024, shumë më herët sesa ishte parashikuar, ka njoftuar zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara.

    Ajo shton se sipas planifikimeve të bëra në kohën e dhënies me koncesion të aeroportit në vitin 2010, dhe marrjes së operimit nga Limak në vitin 2011, ky nivel pritej të arrihej vetëm në vitin 2028.

    “Pas pandemisë, #PRN është vlerësuar si një nga aeroportet me performancat më mbresëlënëse në Evropë, duke arritur dhe tejkaluar shifrat para-pandemike – në kohën kur aeroporte të mëdha si London-Heathrow, Paris-CDG, Frankfurt dhe Amsterdam-Schiphol ende nuk i kishin arritur këto nivele, sipas raportit të ACI të publikuar më 12 shtator 2023”, shkroi zëdhënësja duke konfirmuar se tregjet kryesore të udhëtimit që lidhen me Kosovën vazhdojnë të jenë: Zvicra: rreth 38–39%, Gjermania: rreth 38–39%, Turqia: rreth 9%, Austria: rreth 6%.

    LKIA ka vazhduar të investojë në infrastrukturë moderne dhe teknologji të avancuar.

    Një arritje e fundit është mirëpritja e aeroplanit të gjatë-distancë Airbus A350 nga Edelweiss Air AG, një nga më të avancuarit në botë. Përveç kësaj, aeroporti ka instaluar sisteme të reja si: pultet e vetë-regjistrimit, sistemet e dorëzimit automatik të bagazheve (bagdrop), kontrolli biometrik dhe portat e vetë-imbarkimit, duke e rritur gjithashtu kapacitetin e portave nga 8 në 12.

    Në fushën e qëndrueshmërisë dhe mbrojtjes së mjedisit, LKIA ka arritur Nivelin 3+ “Neutrality” në programin ndërkombëtar për reduktimin e karbonit – Airport Carbon Accreditation (ACA) – me një rinovim të suksesshëm trevjeçar deri në vitin 2023, duke dëshmuar përkushtimin ndaj një strategjie të qartë dhe të strukturuar për uljen e emetimeve.

    Për më tepër, LKIA po kontribuon në përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, përfshirë: SDG 6: Ujë i pastër dhe higjienë, SDG 7: Energji e përballueshme dhe e pastër, SDG 9: Industri, inovacion dhe infrastrukturë, SDG 12: Konsum dhe prodhim i përgjegjshëm, SDG 13: Veprim për klimën.

    Në janar të këtij viti, LKIA u bë edhe nënshkruese e Parimeve për Fuqizimin e Grave (WEPs) në Kosovë.

    Duke mbështetur gratë në fushat STEM, LKIA në vitin 2022 lansoi iniciativën GEG Kosovo në bashkëpunim me Rochester Institute of Technology dhe pesë universitete publike në Kosovë, në kuadër të nismës globale Global Engineer Girls të Limak Group.

    Kjo nismë synon fuqizimin e vajzave të reja për karriera në inxhinieri dhe shkencë, përmes trajnimeve, mentorimeve, bursave, praktikave profesionale dhe mundësive të punësimit.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark