Peshku i krimbur nuk i shqetësoi bizneset, derti i tyre mbetet tek rrezikimi i imazhit të tyre - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Peshku i krimbur nuk i shqetësoi bizneset, derti i tyre mbetet tek rrezikimi i imazhit të tyre

    Insajderi
    28 May 2025 - 15:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kompanitë kanë vazhduar të importojnë peshk me krimba dhe ta shesin nëpër markete. Analizat e kryera nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë konstatojnë se peshku është me parazit Anisakis, por autoriteti i sigurisë së ushqimit hesht përball këtij skandali. AUV madje përmes një njoftimi ka dhënë këshilla se si duhet të vriten krimbat, por nuk e ka ndaluar shitjen e tyre.

    Një ngarkesë 20 tonëshe me peshkun e importuar në Kosovë nga kompania Delfini L.T.D ka rezultuar me praninë e parazitit Anisakis, një mikroorganizëm i dëmshëm për shëndetin e njeriut, që në vendet e Bashkimit Evropian çon automatikisht në asgjësimin e produkteve ushqimore kur zbulohet, sipas EFSA kur është në stadin e tretë, ashtu siç rezultojnë gjetjet e AUV.

    Por, jo vetëm sasia 20 tonëshe, por shumica e ngarkesave të kësaj kompanie kanë rezultuar me krimba, që Periskopi i ka siguruar analizat e kryera nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Por, kjo sasi është kthyer në betejë në mes kompanisë dhe AUV nëpër procese gjyqësore.

    Përkundër rrezikut potencial për shëndetin publik, që analizat konstatojnë, kompania Delfini L.T.D nuk ka kërkuar mbrojtje të konsumatorit, por ka ushtruar ankesë në Gjykatën Komerciale për të kundërshtuar vendimin për bllokimin dhe asgjësimin e peshkut, duke e cilësuar këtë si dëm ndaj imazhit dhe financave.

    Sipas dokumenteve që ka siguruar Periskopi, kompania nuk ka kontestuar faktin që ngarkesat janë të kontaminuara me parazitin Anisakis, por ka kërkuar që produkti të mos asgjësohet dhe të lejohet për shitje në treg.

    Delfini në ankesën që e ka bërë në Gjykatën Komerciale kërkon që t’i lejohet shitja e peshkut me Anisakis, duke u shqetësuar për imazhin dhe humbjet financiare, por pa u brengosur për shëndetin e qytetarëve.

    “Pra vetëm shpenzimet e bëra për blerjen e peshkut dhe transportimin e tejkalojnë shumën prej 100,000 Euro. Prandaj, konsideron se ekzekutimi i vendimit të kundërshtuar do të kishte për pasojë shkaktimin e një dëmi vështir të riparueshëm, do të dëmtonte imazhin dhe reputacionin e kësaj kompanie, i cili nuk do të riparohej në asnjë formë të kompenzimit të mëvonshëm”, thuhet në kërkesën e avokatit të kompanisë dorëzuar në gjykatë.

    Në padin që Delfini L.T.D ka bërë për shtyrjen e ekzekutimit të asgjësimit të peshkut me krimba e pranon se produkti është me Anisakis, por arsyetohet se mund të shitet, duke u thirrur në direktiva të Bashkimit Evropian. Për kompaninë nuk përbën asnjë shqetësim peshku me krimba, por jep udhëzime se si duhet të mbyten e më pastaj të konsumohen duke i konsideruar parazitët si diçka krejt normale. Arsyetimi i kompanisë është në sinkron me atë të AUV që lëshoi njoftim për publikun kur Periskopi zbuloi skandalin, duke i këshilluar qytetarët se si mund të mbyten krimbat në peshk para se të konsumohen.

    “Fakti që produktet e peshkut të cilat organi i shkallës së parë me vendim ka kërkuar që të largohen nga tregu (e të cilat tani inspektorët duan t’i asgjësojnë kundërligjshëm), janë produkte të cilat nuk paraqesin asnjë rrezik për konsum dhe se prezenca e parazitëve në këto produkte është normale. Këto produkte janë të sigurta për t’u përdorur për ushqim, si dhe janë në përputhje me Rregulloren (EC) Nr 853/2004 e Parlamentit Evropian”, thuhet në kërkesën e kompanisë për shtyrjen e asgjësimit të peshkut me krimba.

    Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit 06/L-034 kreu 3, Neni 16, parasheh që malli që tregtohet duhet t’i ketë të gjithë përbërsit në deklaracion. Rrjedhimisht Delfini L.T.D sipas ligjit në paketimi duhet ta shkruaj “Peshk me krimba”, për të qenë konform ligjit që t’i informojë konsumatorët, për të vendosur më pas nëse dëshirojnë peshk me parazit.

    “Të dhënat për përbërësit e mallit duhet të jenë të qarta, të dukshme, të kuptueshme, të lexueshme, të pashlyeshme dhe nuk duhet të mbulohet me ndonjë tekst tjetër”.

    “Shitësi i mallrave dhe/apo shërbimeve duhet të sigurojë që mallrat apo shërbimet që shet të jenë të pajisura me etiketë, e cila përmban informacione për prodhuesin dhe adresën e tij, emërtimin e mallit, sasinë, përbërjen, cilësinë, datën e prodhimit, afatin dhe mënyrën e përdorimit, mirëmbajtjes si dhe rrezikshmërinë nëse ekziston”.

    Edhe Ligji për Ushqimin NR. 08/L-120, Neni 28 i qëndron prapa Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, se në etiketim duhet të përshkruhet çdo përbërs në produkt.

    “2. Informatat lidhur me ushqimin, duke përfshirë etiketimin, të dhënat shëndetësore të deklaruara dhe çështjet tjera që ndërlidhen me deklaracionin e ushqimit që rregullohet me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit akteve nënligjore për zbatim të tij dhe legjislacioni tjetër përkatës në fuqi”.

    Pas kontrolleve zyrtare, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kishte kërkuar që ngarkesa e kontaminuar me parazitin Anisakis të asgjësohej ose të kthehej në vendin e origjinës, në përputhje me ligjet për sigurinë ushqimore. Por kjo u bllokua nga një vendim i Gjykatës Komerciale – Shkalla e Parë, e cila i aprovoi kërkesën Delfinit për shtyrje të ekzekutimit, duke pezulluar përkohësisht vendimin e AUV-së për asgjësimin e peshkut.

    Gjykata megjithatë nuk i dha të drejtë kompanisë për ta plasuar produktin në treg, por vendimi i saj bëri të pamundur as asgjësimin, duke e lënë produktin “në pritje”, ndonëse i kontaminuar.
    Me vendimin e Shkallës së Parë, asnjë nga palët nuk mbeti e kënaqur. AUV paraqiti ankesë për ta prishur këtë vendim dhe për të lejuar asgjësimin e produktit, ndërsa kompania Delfini shkoi më tej duke kërkuar që peshku të lejohet për shitje, përkundër rrezikut të konfirmuar.

    Gjykata e Shkallës së Dytë më pas mori një vendim për të prishur tërësisht aktvendimin e Shkallës së Parë dhe për ta kthyer çështjen në rishqyrtim. Deri në një vendim të ri, nuk lejohet as shitja, por as asgjësimi i peshkut.

    Megjithatë, në vendimin e saj, Gjykata e Shkallës së Dytë nënvizon qartë se plasimi i peshkut në treg nuk lejohet, pa përfunduar procedurat administrative dhe pa leje të veçantë. Kjo mbetet një fitore e përkohshme për mbrojtjen e shëndetit publik.

    Kompania “Delfin LTD SHPK” shet peshkun me krimba

    Nga analizat me numra serikë të ndryshëm 40/2024; 41/2024; 46/2024, e deri në 94/2024, të gjitha ngarkesat e kompanisë “Delfin LTD SHPK” kanë rezultuar me parazitë Anisakis spp. Janë 9 analiza që i janë bërë kësaj kompania për importin e peshkut, e që të gjitha kanë rezultuar me Anisakis.

    Peshkun kjo kompani vazhdon ta tregtojë në Kosovë, ndërsa Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë vazhdon të hesht, duke iu dhënë instruksione qytetarëve se si duhet t’i vrasin krimbat përmes një njoftimi publik.

    Më 1 mars 2024 janë marrë mostra për analizë, ndërsa më 5 mars janë konfirmuar rezultatet, peshku i ngrirë Merluc ka qenë i kontaminuar me larva Anisakis spp. Rezultati është firmosur nga Beqë Hulaj, udhëheqës sektori në AUV.

    Edhe analiza me numër serik 93/2024 për peshkun “Frozen Hake” të së njëjtës kompani ka konfirmuar praninë e krimbave.

    Këto janë të gjitha analizat që janë kryer nga AUV e që kanë rezultuar me parazit/krimba Anisakis:

    Çfarë është Anisakis?

    Larvat L3 të Anisakis spp janë potencialisht të dëmshme për njeriun, sipas institucioneve si EFSA (Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore) dhe CDC (Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve). Ato mund të shkaktojnë anasakiazë, një infeksion parazitar që ndodh kur larva nuk eliminohet me ngrohje të mjaftueshme ose nuk vritet me ngrirje të thellë. Simptomat variojnë nga të lehta (nauze, dhimbje) deri në të rënda (reaksione alergjike, infeksion stomaku apo zorreve).

    Në vitin 2022, Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA) publikoi një raport të detajuar mbi rreziqet që paraqet paraziti Anisakis në produktet e peshkut. Ky raport u fokusua në vlerësimin e rrezikut të infeksioneve dhe reaksioneve alergjike te konsumatorët që konsumojnë peshk të infektuar me larvat e Anisakis.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark