SHBA dhe Maqedonia e Veriut synojnë marrëveshje për tregti të lirë – takim mes Rubios dhe Mucunskit në Uashington - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    SHBA dhe Maqedonia e Veriut synojnë marrëveshje për tregti të lirë – takim mes Rubios dhe Mucunskit në Uashington

    Insajderi
    29 May 2025 - 21:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, është takuar në Uashington me ministrin për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, me të cilin ka biseduar për raportet dypalëshe dhe tregtinë.

    Takimi, sipas Departamentit amerikan të Shtetit, vuri në pah “raportin e fortë mes SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut dhe theksoi interesat e përbashkët në stabilitetin rajonal, bashkëpunimin ekonomik dhe NATO”.

    DASH tha po ashtu se dy kryediplomatët kanë biseduar për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik përfshirë “tregtinë dhe investimet”.

    Ndërkaq, Mucunski tha se në takimin në Uashington me Rubion u konfirmua bashkëpunimi mes dy shteteve, që sipas tij, është i bazuar mbi vlera të përbashkëta, “interesa politike dhe miqësi të kamotshme”.

    “Shpreha përkushtimin e Qeverisë maqedonase për të avancuar dialogun politik me SHBA-në, si dhe përkushtimin konkret për të institucionalizuar partneritetin strategjik përmes zbatimit të Planit të përbashkët të Veprimit”, shkroi ai në Facebook.

    Uashingtoni dhe Shkupi më 2022 thelluan raportet me nisjen e dialogut strategjik, që fokusohet në thellimin e partneritetit dypalësh.

    Mucunski tha se gjatë takimit me Rubion është kanë biseduar edhe për raportet tregtare dhe uljen e tarifave, por edhe “nisjen e procesit të nënshkrimit të një marrëveshjeje për tregti të lirë”.

    Maqedonia e Veriut ishte në mesin e shteteve që u goditën nga tarifa bazë prej 10 për qind dhe me një tarifë shtesë prej 33 për qind për importet maqedonase. Trump shpalli këto tarifa në prill të këtij viti.

    “Në këtë drejtim, theksova gatishmërinë e Qeverisë maqedonase për të promovuar bashkëpunim ekonomik, tërheqjen e investimeve amerikane dhe rritjen e pranisë të kompanive amerikane në shtetin tonë”, tha ai.

    SHBA-ja kërkon që të arrijë marrëveshje të posaçme për tregtinë e lirë me shtetet që kanë suficit tregtar me Uashingtonin. /REL


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark