
Persona të panjohur hynë në celularin personal të shefes së stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles dhe përdorën kontaktet e saj për të telefonuar zyrtarë të lartë amerikanë dhe për t’u paraqitur si ajo.
Disa nga zyrtarët e kuptuan se diçka nuk ishte në rregull sepse telefonatat dhe mesazhet vinin nga një numër i panjohur dhe personi i paraqitur si Wiles kërkonte të vazhdonte komunikimin në një platformë tjetër – siç është Telegrami.
Bëhet e ditur se incidenti dhe nisja e një hetimi federal u raportua fillimisht nga Wall Street Journal.
“Shtëpia e Bardhë e merr shumë seriozisht sigurinë kibernetike të të gjithë punonjësve dhe ky rast mbetet nën hetim”, tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë për CBS News, duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me incidentin.
Drejtori i FBI-së Kash Patel tha: “FBI i merr jashtëzakonisht seriozisht të gjitha kërcënimet ndaj presidentit, stafit të tij dhe sigurisë kibernetike; mbrojtja e aftësisë së zyrtarëve tanë për të komunikuar në mënyrë të sigurt është thelbësore për përmbushjen e misionit të presidentit”.
Ndryshe, Wiles u tha kolegëve të saj se telefoni i saj ishte hakuar.