Hykmete Bajrami godet ashpër Qeverinë: Mafia energjetike po shkatërron Kosovën, Prokuroria të veprojë pa humbur kohë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Hykmete Bajrami godet ashpër Qeverinë: Mafia energjetike po shkatërron Kosovën, Prokuroria të veprojë pa humbur kohë

    Insajderi
    01 June 2025 - 12:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Ta shënojmë 1 qershorin si ditë të mafisë energjetike në Kosovë”. Kështu ka shkruar në një postim në Facebook nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.

    Ajo ka folur hapur për atë që e quan “strukturën e mafisë energjetike”, e cila sipas saj ka, “nisur në ditët e para të qeverisjes së Vetëvendosjes”.

    “Përgjatë katër viteve të shkuara, mafia energjetike për të cilën Albin Kurti fliste sa ishte në opozitë ka marrë formë. Ka emra dhe mbiemra, është Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, e cila për katër vite nuk ka bërë asgjë tjetër përveçse ka vendosur njerëzit e vet në krye të institucioneve që prodhojnë energji, japin licenca e që janë të thirrura me mbikëqyrë tregun e energjisë”, shkroi Bajrami.

    Ajo ka përmendur edhe disa raste konkrete.

    “Kurti e pati dërguar në KEK Nagip Krasniqin që ishte kryesues i Komitetit të Energjisë në Vetëvendosje. Nagipi tash po përballet me aktakuza për korrupsion”, shkroi ajo.

    Sipas Bajramit, “Martin Berishaj brenda 24 orëve u pajis me pasaportë diplomatike dhe u emërua ambasador. I njëjti paguhej nga kompanitë energjetike përfshirë GEN-in”. Ajo theksoi se përmes faturave, kompania EFT e Vuk Hamoviçit po përfiton miliona euro në kurriz të qytetarëve të Kosovës.

    “Nuk është rastësi, këtu nuk ka më hapësirë për mbulesë, sepse tashmë po e shohim të gjithë skemën e ndërtuar me qëllime të qarta – atë të pasurimit të disa individëve në kurriz të qytetarëve dhe të ekonomisë së vendit”, shkroi ajo.

    Deputetja përmendi edhe raportimet mediatike për përfshirjen e familjarëve të figurave të larta të pushtetit në sektorin e energjisë.

    “U raportua se vëllai i Kurtit po merret me çështje të energjisë në KEK, ani pse që shumë vite punon aty. Gjithashtu, një donator i LVV-së është zgjedhur drejtor i KEK-ut. Po ashtu, vëllai i shefit të kabinetit të Kurtit është duke e provuar fatin në sektorin e energjisë”, shtoi ajo.

    “Për më tepër, i kemi parë të gjitha mesazhet në grupin e WhatsApp-it, ku vendoset për tenderët milionësh të KEK-ut, përkundër faktit se pohohej se ajo kompani nuk i plotëson kushtet.”

    Sipas Bajramit, gjatë kësaj periudhe kanë dalë në pah edhe kompani fantome, të regjistruara gjatë qeverisjes së Kurtit.

    “NOA tani është kompani me dy punëtorë dhe me 160 milionë euro qarkullim vetëm në vitin 2024”.

    Ajo akuzon qeverinë për rritje të çmimit të energjisë, që sipas saj ka arritur rekorde.

    “Shihni faturat, shiheni faturën e muajit maj dhe krahasojeni me majin e vitit 2024, 2023, 2022 dhe 2021. Kosova kurrë nuk ka importuar më shumë energji sesa në këto katër vitet e fundit”, theksoi ajo.

    Bajrami ngre shqetësimin për 1300 ndërmarrje që, sipas saj, po dalin në një “treg të hapur të energjisë që nuk ekziston”, me fatura të trefishuara.

    “Sot, këto ndërmarrje që punësojnë gjysmën e sektorit privat dhe gjenerojnë gjysmën e buxhetit të Kosovës po luftohen nga qeveria për t’ia rregulluar tregun kompanive si NOA dhe për t’ia rritur nesër shanset kompanisë së vëllait të Luan Dalipit”, shkroi ajo.

    Deputetja e LDK-së përfundon duke bërë thirrje për hetime të menjëhershme:

    “Prokuroria të merret me mafien energjetike para se kjo të shkatërrojë çdo gjë që është ndërtuar për 25 vite”.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark