Rreziku për shëndetin publik, AUV kërkon therje të Kurbanit vetëm në thertore të licencuara - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Rreziku për shëndetin publik, AUV kërkon therje të Kurbanit vetëm në thertore të licencuara

    Insajderi
    01 June 2025 - 13:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Me afrimin e festës së Kurban Bajramit, Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë (AUV) ka dalë me një apel për qytetarët e besimit islam në Kosovë: therja e kurbanit duhet të bëhet vetëm në thertore të licencuara, përndryshe do të merren masa ligjore.

    Zëdhënësi i AUV-së, Lamir Thaçi, në një intervistë për Ekonomia Online, theksoi rëndësinë e respektimit të standardeve ligjore dhe higjieno-sanitare gjatë këtij riti fetar. Ai u shpreh se ky veprim është një obligim jo vetëm fetar, por edhe një domosdoshmëri për mbrojtjen e shëndetit publik.

    “Ne para çdo festimi të Kurban Bajramit gjithmonë u bëjmë thirrje qytetarëve të Kosovës të besimit islam që therjen e kurbanit ta bëjnë vetëm në thertore të licencuara, sepse në këtë formë do ta ruajmë shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Therja jashtë ambienteve që nuk i plotësojnë kushtet teknike, sanitare, higjienike, jo vetëm që bie ndesh me legjislacionin në fuqi, por edhe paraqet rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve,” tha Thaçi.

    Ai shtoi se ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe fermerëve ka qenë në rritje vitet e fundit, ku shumica tashmë i dërgojnë kafshët për therje në thertore të certifikuara.

    “Vitet e fundit kemi një ndryshim pozitiv. Fermerët edhe bagëtitë e tyre që i mbajnë për therje po i dërgojnë në thertore të licencuara, sepse edhe ata vetë e kanë parë që kjo therje gjithmonë është fillimisht e sigurt, pastaj edhe është në respektim të gjithë legjislacionit të aplikuar në Kosovë,” u shpreh ai.

    Në këto thertore janë gjithmonë të pranishëm inspektorët veterinarë të AUV-së, të cilët bëjnë kontrollin e plotë të kafshëve para, gjatë dhe pas therjes, për të garantuar cilësinë dhe sigurinë e mishit.

    “Ne kudo që hasim kafshë duke u therur në ambiente të hapura gjithmonë veprojmë bashkërisht me Policinë dhe secili person fizik, i cili bën veprime ilegale apo jashtëligjore gjithmonë ndëshkohet në bazë të ligjeve në fuqi. Çdo therje e kafshës jashtë ambienteve, të cilat nuk janë të licencuara, nënkupton që kafsha i nënshtrohet ekspozimit të agjentëve mikrobiologjikë që mund ta kontaminojnë në çdo kohë produktin që nxirret nga kafsha e therur,” shtoi Thaçi.

    Ai rikujtoi se çdo kafshë, përpara therjes, duhet të kalojë nëpër kontrollet veterinaro-mjekësore për të garantuar që produktet janë të sigurta për konsum.

    Për rastet që nuk respektojnë ligjin, AUV ka paralajmëruar se do të marrë masa të ashpra.

    “Në secili rast të therjes jashtë objekteve të licencuara gjithmonë inspektori bën vlerësimin e situatës dhe përveç që mund të shqiptojë gjobë mandatore, ai gjithmonë e dërgon lëndën apo e njofton prokurorin mbi rastin, sepse përveç aspektit të shkeljes administrative, gjithmonë mund të konsiderohet edhe si vepër penale – si rrezikim i shëndetit të përgjithshëm publik,” përfundoi Thaçi.

    Qytetarët ftohen të kontribuojnë për një festë të sigurt e të ligjshme, duke shmangur therjet në ambiente të paautorizuara dhe duke respektuar rregullat që mbrojnë shëndetin publik.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark