
Gjykata e Tiranës ka vendosur të dielën masën e sigurisë “arrest me burg” për tetë persona të ndaluar në kryeqytet, pas një hetimi për shitblerje armësh.
Trupi gjykuese pranoi kërkesën e Prokurorisë së Tiranës, e cila paraqiti akt-ekspertiza dhe prova të sekuestruara gjatë operacionit të kryer nga policia.
Të arrestuarit që do të qëndrojnë në paraburgim janë: Emirel Tusha, Leandro Haxhiaj, Fabricio Berberi, Rikardo Hajdaraj, Visar Murati, Kevin Farruku, Geraldo Muraj dhe Adriano Shehu. Asnjëri prej tyre nuk ka dhënë dëshmi përpara gjykatës.
Avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar ligjshmërinë e arrestimeve, duke pretenduar se policia ka përdorur metoda të paligjshme, përfshirë blerjet e stimuluara, si dhe kanë theksuar mungesën e provave për veprime konkrete të secilit të dyshuar. Ata kanë kërkuar gjithashtu që të merret parasysh fakti që të arrestuarit nuk kanë precedentë penalë dhe kanë kërkuar akt-ekspertiza për të verifikuar funksionalitetin e armëve të sekuestruara.
Prokuroria ka paraqitur në gjykatë ekspertizat e armëve të kapura më herët gjatë ndalimit të Altin Pajazitit dhe Kadri Prushit, ku vetëm njëra prej armëve rezultoi jashtë funksionit.
Operacioni i zhvilluar nga Policia e Tiranës çoi në sekuestrimin e 14 armëve zjarri (12 pistoleta, njëra prej tyre me silenciator, dhe 2 armë automatike), mbi 2 mijë fara kanabisi, municion luftarak, 3 automjete dhe 8 celularë. Sipas hetimeve, armët janë marrë në Kosovë dhe janë trafikuar në Tiranë.