
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbërritur sot në Kuvendin e Kosovës i shoqëruar nga truproje, ndërsa edhe këtë herë ka zgjedhur të mos u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve.
Pavarësisht interesimit të madh të mediave për çështje aktuale politike dhe zhvillimet brenda qeverisë, Kurti ka kaluar pranë gazetarëve pa dhënë asnjë deklaratë.
Seanca e 25-të konstituive është thirrur për sot, me fillim nga ora 10:30.
Sipas rregullores së Kuvendit, propozimi për kryetar i takon ekskluzivisht partisë fituese të zgjedhjeve – Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Kjo e fundit ka nominuar Albulena Haxhiun për këtë post dhe, ndonëse ka shprehur gatishmëri për marrëveshje politike me subjektet tjera, ka bërë të qartë se nuk do të propozojë emër tjetër.
Përveç kryetarit, për konstituimin e plotë të legjislaturës së nëntë duhet të zgjidhen edhe pesë nënkryetarët e Kuvendit.
Vetëm pas përmbylljes së këtij procesi mund të procedohet me hapat e nevojshëm për formimin e Qeverisë së re.