Nga specializimi deri te përfitimet e dyshimta - rasti Bergita Nikaj-Curri të IML-së nën llupën e Prokurorisë - Insajderi
×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Nga specializimi deri te përfitimet e dyshimta – rasti Bergita Nikaj-Curri të IML-së nën llupën e Prokurorisë

    Insajderi
    03 June 2025 - 12:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
    Shkruan: - Donjeta Islami


    Prokuroria ka nisur hetim zyrtar ndaj Bergita Nikaj-Curri, mjeke ligjore dhe zyrtare e lartë në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), për dyshime mbi punësimin e saj të dyfishtë në Universitetin e Prishtinës, çështje që ngre shqetësime për konflikt interesi dhe përfitime të kundërligjshme nga buxheti i shtetit. Ky hetim është aktualisht fokusi kryesor ligjor ndaj saj, por përreth këtij rasti kanë dalë edhe një sërë akuzash të tjera të ndara, që lidhen me tejkalim kompetencash, sjellje joetike, keqpërdorim të të dhënave personale dhe përplasje të brendshme institucionale brenda IML-së. Gazeta Insajderi ju sjell detajet
    .

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Insajderin se ndodhet në fazën përfundimtare të vendimmarrjes lidhur me një rast që përfshin Bergita Nikaj-Curri, specialiste e Mjekësisë Ligjore në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).

    Ky rast ka filluar të trajtohet pas një informate të pranuar më 28 gusht 2024 nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), që ngriti dyshime për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme.

    Si pasojë, Prokuroria autorizoi Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion (DHKEK) për të ndërmarrë veprime konkrete hetimore. Më 2 maj 2025, Prokuroria ka pranuar një raport informues të Policisë së Kosovës (me numër protokolli DHKEK-P-204/2025) mbi veprimet e kryera deri atëherë.

    Aktualisht, rasti është në fazën përfundimtare të shqyrtimit për marrje vendimi.

    Sipas informacioneve të siguruara nga Gazeta Insajderi, çështja qëndron në dyshimet për angazhim të paligjshëm të Nikaj-Currit si asistente në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, në kundërshtim me Rregulloren për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm (nr. prot. 1/95, datë 24.06.2021) dhe kushtet e konkursit të vitit 2023. Ky konkurs përcaktonte qartë se personat e angazhuar nuk mund të kenë punë të dytë jashtë UP-së.

    Për më tepër, Insajderi ka kuptuar se në ambientet e IML-së është ekspozuar një listë-orar ku figuronin emrat e disa zyrtarëve të IML-së, përfshirë Bergita Curri, të përfshirë në mbajtjen e ushtrimeve për studentët e Fakultetit të Mjekësisë, në kohë që mbivendosej me orarin e tyre të rregullt në IML.

    Nga brenda janë ngritur edhe dyshime për shkelje të kontratës së punës, mosrespektim të orarit zyrtar dhe angazhim të dyfishtë me përfitime financiare shtesë, gjë që dyshohet se bie ndesh edhe me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

    Po ashtu, denoncime të tjera pretendojnë se Nikaj-Curri është përfshirë në një aktivitet privat që ofron shërbime të ekspertizës ligjore, duke ngritur dyshime serioze për konflikt interesi me detyrën e saj publike si mjeke ligjore, meqenëse raporte të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në vendime gjyqësore penale.

    Provat kryesore që ndodhen në dosjen e Prokurorisë përfshijnë: Rregulloren për angazhimin e stafit të jashtëm në UP; Kushtet e konkursit të vitit 2023; Listën e orareve të ushtrimeve të ekspozuar në ambientet e IML-së; Informatën e APK-së; Raportin e DHKEK të datës 2 maj 2025.

    Organet e hetuesisë janë duke vlerësuar nëse do të procedojnë me ngritje të aktakuzës ndaj Nikaj-Currit, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret në një periudhë të afërt.

    Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), por nuk ka marrë përgjigje deri tani.

    Insajderi po ashtu ka kërkuar zyrtarisht informacione edhe nga Universiteti i Prishtinës, për të sqaruar bazën ligjore të angazhimit të Bergita Nikaj-Curri si asistente, konkretisht nëse është respektuar Rregullorja për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm, si dhe nëse pozita e saj është në përputhje me kushtet e konkursit të vitit 2023.

    Deri më tani, UP nuk ka kthyer përgjigje, duke lënë pa sqarim zyrtar dyshimet që lidhen me vlefshmërinë dhe ligjshmërinë e këtij angazhimi paralel.


    Dyshime për shkollimin, specializimin dhe punësimin e Bergita Nikaj-Currit

    Rrugëtimi akademik dhe profesional i Bergita Nikaj-Currit është shoqëruar me mungesë transparence dhe me një sërë dyshimesh që ngrejnë shqetësime serioze për mënyrën e shkollimit dhe punësimit të saj në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    Sipas të dhënave të siguruara nga burime të brendshme, Nikaj-Curri ishte fillimisht e regjistruar në programin e specializimit për Patologji, një program që zgjat katër vjet. Megjithatë, në vitin e tretë ajo e ndërpreu këtë specializim dhe kaloi në Mjekësi Ligjore – një ndryshim i cili, sipas praktikave standarde, do të kërkonte rifillim të specializimit nga fillimi, siç ka ndodhur me kolegët e saj që u përballën me të njëjtën situatë.

    Nikaj-Curri jo vetëm që nuk rifilloi nga fillimi specializimin në Mjekësi Ligjore, por përfundoi këtë program brenda një kohe më të shkurtër se sa parashikon planprogrami zyrtar.

    Burime të Insajderit kanë thënë se kjo u bë që për t’ia mundësuar daljen e saj të parakohshme në provim dhe përfundimin e specializimit më herët se kolegët e saj.

    Përgjigja e Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me specializimin

    Në përgjigje të pyetjeve të Gazetës Insajderi lidhur me kohëzgjatjen e specializimit në Mjekësi Ligjore dhe nëse janë të mundshme përjashtime për përfundim të parakohshëm – si në rastin e Bergita Nikaj-Curri – Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se:

    “Planprogrami aktual i specializimit në Mjekësi Ligjore zgjat 4 vite (44 muaj + 4 muaj pushim vjetor). Kjo kohëzgjatje mund të ndryshohet nga Komitetet specialistike përkatëse, në përputhje me trendet evropiane e botërore, prandaj duhet parë në kontekstin e kohës së realizimit të specializimit. Dalja e parakohshme në provim (deri në 3 muaj më herët) ka qenë e mundur më parë, por vetëm në rrethana të veçanta dhe me aprovime përkatëse nga mentori dhe komiteti specialistik, përfshirë raste si mungesa e kuadrit, përmbushja e plotë e programit dhe heqja dorë nga pushimet vjetore.”

    Megjithatë, Ministria thekson se me hyrjen në fuqi të Udhëzimit Administrativ 01/2023 për Shkollim Specialistik, nuk lejohet më asnjë dalje e parakohshme në provim – madje as në rrethana të veçanta.

    Kështu, Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar që në kontekstin aktual ligjor, përfundimi i specializimit para afatit nuk është i mundur.

    Refuzim për të dhënë sqarime

    Për të sqaruar të gjitha këto paqartësi, Gazeta Insajderi i ka drejtuar Bergita Nikaj-Currit një sërë pyetjesh lidhur me: vitin e regjistrimit në specializim, fushën fillestare të specializimit dhe arsyet e ndryshimit të saj, kohëzgjatjen reale të përfundimit të specializimit, nëse ka pasur ndikim politik apo institucional gjatë këtij procesi, si dhe mënyrën e punësimit të saj në Institutin e Mjekësisë Ligjore, pa konkurs publik, siç e kërkon ligji.

    Megjithatë, në vend të transparencës, Nikaj-Curri ka zgjedhur të mos japë përgjigje të drejtpërdrejta, duke ofruar vetëm një deklaratë të përgjithshme, pa asnjë datë apo fakt specifik.

    “Dëshiroj t’ju informoj se unë jam një specialiste e licencuar e mjekësisë ligjore tash e sa vite, eksperte e licencuar gjyqësore për lëminë e mjekësisë ligjore dhe kandidate në studimet e doktoratës në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Mjekësisë. Procesi i arritjes deri te këta tituj është zhvilluar gjithmonë në përputhje me kornizën ligjore dhe institucionale përkatëse të asaj kohe”, tha ajo në përgjigjen e përcjell me datë 13 mars.

    Për më tepër, Nikaj-Curri ka tentuar të përcaktojë vetë se çfarë konsiderohet apo jo çështje me interes publik:

    “Pyetjet që ju keni parashtruar nuk përbëjnë çështje me interes publik, pasi nuk ndikojnë në cilësinë apo legjitimitetin e ushtrimit të detyrës sime. Roli im si specialiste e mjekësisë ligjore është të ofroj ekspertizë të paanshme dhe profesionale në shërbim të drejtësisë”.

    Edhe pse në të njëjtën përgjigje theksonte se është gjithmonë e gatshme të japë sqarime për çështje që lidhen me ushtrimin e funksionit të saj publik, në praktikë ajo nuk ka ofruar asnjë përgjigje shtesë – pavarësisht kërkesave të përsëritura nga redaksia, tash e disa muaj më parë.

    Emërimi si zëvendësuese e Udhëheqëses së  Divizionit për Cilësi në IML

    Po ashtu, emërimi i saj në pozitën e zëvendësuese së Udhëheqëses së Divizionit për Cilësi në IML është shoqëruar me një tjetër parregullsi të rëndë: pagesa e rrogës me koeficient të pozicionit më të lartë (koeficienti 12), ndonëse vendimi për caktim parashihte një koeficient dukshëm më të ulët (7.35).

    Në mars të vitit 2023, me vendim të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të IML-së, Ditor Halitit caktohet zëvendësuese e Udhëheqëses së  Divizionit për Cilësi në IML.

    Në vendim thuhej se “Znj.Curri do t’i paguhen të ardhurat personale në pajtim me koeficientin e kësaj pozite” – ndërkohë siç mëson Insajderi zyrtarja në  fjalë dyshohet se përfiton jashtëligjshëm me koeficientin 12, ndërsa sipas vendimit kjo pozitë ka koeficient 7.35. rrjedhimisht, kontratë pune tjetër, rrogë për pozitë tjetër.


    Veprimet e Bergita Currit përbënin rrezik për privatësinë e stafit të IML-së

    Në gusht të vitit 2022, Agjencia për Informim dhe Privatësi konfirmoi një tjetër shkelje të rëndë të Nikaj-Currit, për keqpërdorim të të dhënave personale të stafit të IML-së.

    Ajo kishte shpërndarë pa autorizim lista pagash me të dhëna sensitive si emër, datëlindje, kualifikime akademike dhe të tjera, pa pëlqimin e punonjësve dhe jashtë çdo kornize ligjore.

    Në këtë rast konkret, bëhej fjalë për një tabelë të kërkuar nga IKSHPK që duhej plotësuar me të dhënat e punëtorëve. Gjatë procesit të hartimit të strategjisë dhjetëvjeçare për burimet njerëzore në sektorin shëndetësor, u evidentua se Curri kishte shpërndarë në mënyrë të paautorizuar lista që përmbanin informacione personale, përfshirë emrat, mbiemrat, datëlindjet, përgatitjen shkollore dhe të dhëna të tjera të ndjeshme të stafit të IML-së.

    Këto të dhëna ishin dërguar jashtë çdo kuadri ligjor, pa pëlqimin e punonjësve dhe pa respektuar asnjë procedurë ligjore për mbrojtjen e privatësisë. Sipas dokumentacionit zyrtar, veprimi përbën shkelje të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, konkretisht neneve 5 paragrafi 1.6, nenit 8 dhe paragrafit 2.9.

    Sipas AIP, kjo përbënte shkelje të drejtpërdrejtë të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe dështim institucional të IML-së për të mbrojtur privatësinë e stafit të vet.

    Gjithsesi, veprimet e Currit ishin tentuar të arsyetoheshin nga Udhëheqësja e IML-së, Flutura Goga-Bajrami. 

    Ajo deklaronte se “asnjë e dhënë personale e asnjë zyrtari të IML-së nuk ishte dërguar askund pa qëllim legjitim dhe nuk është keqpërdorur nga askush”, përkundër kësaj AIP vendosi në favor të ankesës së anëtarëve të Sindikatës së Institutit të Mjekësisë Ligjore.


    Bergita Nikaj-Curri në qendër të një skandali me përmasa etike dhe ligjore

    Rasti i Bergita Nikaj-Curri, specialiste e Mjekësisë Ligjore dhe zyrtare në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ka nxjerrë në pah një sërë përplasje profesionale dhe pretendime për shkelje etike, të cilat kanë përfunduar në ankesë zyrtare në Këshillin Etik të Odës së Mjekëve të Kosovës dhe përfundimisht janë referuar në Prokurori.

    Fillimi i përplasjes – revokimi i kompetencave të Nardi Sheqerxhiut

    Përplasja mes Currit dhe Nardi Sheqerxhiut, toksikolog i vetëm mjeko-ligjor në IML, nis kur ky i fundit përjashtohet nga ekipet ekzaminuese. Revokimi i kompetencës së tij u bë pa një vendim formal, çka ngjalli reagime të forta nga brenda institucionit.

    Zëvendësdrejtori i IML-së, Naim Uka, kërkoi zyrtarisht që t’i dorëzohej vendimi për revokimin e kompetencës, me qëllim që të kërkonte dorëzimin e çelësave të laboratorit të Toksikologjisë. Në një email të siguruar nga Insajderi, ai thekson se nuk ekziston dokument i tillë zyrtar.

    Në të njëjtën linjë ishte edhe Musa Gashi, Udhëheqës i Divizionit të Mjekësisë Ligjore, i cili e cilësoi vendimin si “absurd”, duke aluduar për një tendencë të qartë për dëmtimin e Sheqerxhiut.

    Curri në një email zyrtar pretendoi se DAK (Drejtoria e Akreditimit të Kosovës) kishte rekomanduar të hiqeshin çelësat e laboratorit nga Sheqerxhiu për shkak të revokimit të përkohshëm të kompetencës së tij.

    Megjithatë, kjo deklaratë u hodh poshtë zyrtarisht nga zëvendësdrejtorja e DAK, Ardiana Krrabaj, e cila theksoi se IML nuk është akredituar nga DAK dhe se kjo e fundit nuk mund të japë vlerësime mbi kompetencën e stafit të IML-së.

    Sipas saj, një vlerësim i tillë mund të bëhet vetëm nga ekspertë teknikë të pavarur, në përputhje me standardet ndërkombëtare ISO/IEC 17011.

    Komunikimi i papërshtatshëm i Currit dhe ankesa në Këshillin Etik

    Në janar 2024, Curri dërgon një email të brendshëm duke komentuar mbi reagimet e stafit për një orar kujdestarie.

    “Të nderuar, ja keni nis me me zhgënjy ngapak… me ju dasht 21 ditë për të reaguar ndaj një emaili me katër rreshta… Naim, shumë je i tejdukshëm se krejt gjurmët e gishtave të kishin mbete nëpër qat fjalinë për konfliktin e interesit, hahahaha…”, shkruante ajo.

    Ky komunikim u cilësua si aspak serioz nga Sindikata e IML-së, e cila ngriti ankesë formale në adresë të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, Ditor Haliti, duke përmendur komunikime të papërshtatshme, shpifje ndaj Sheqerxhiut dhe një sërë shkeljesh të tjera që lidhen me përfitime financiare gjatë kohës së pushimit të lehonisë, përfshirë:

    Përfitim të shtesave COVID-19 dhe kujdestarie gjatë pushimit të lehonisë

    Pranim i lëndëve për super-ekspertiza gjatë pushimit

    Deklarime të rreme në emër të IML-së në drejtim të DAK

    Heshtje dhe mbulim të çështjeve që lidhen me zyrtarë të pa licencuar që lëshojnë raporte toksikologjike

    Ankesa në Këshillin Etik dhe Prokurori – mbyllja e dyshimtë e çështjes

    Sindikata dhe vetë Sheqerxhiu dorëzuan ankesë në Këshillin Etik të Odës së Mjekëve, duke e akuzuar Currin për tejkalim të kompetencave dhe përjashtim të padrejtë nga bashkëpunimi profesional.

    Ankesa u pranua dhe u referua për shqyrtim në Prokurorinë e Odës, e cila fillimisht e refuzoi, pastaj e mori në konsideratë, dhe pas rishqyrtimit, vendosi ta mbyllë çështjen pa ndjekje penale.

    Përfitimet e dyshimta në kohën e lehonisë

    Një tjetër pikë kritike është përfitimi i dyshimtë i shtesave financiare gjatë periudhës së pushimit të lehonisë në kohën e pandemisë COVID-19.

    Dokumentet zyrtare tregojnë se Nikaj-Curri ka përfituar shtesa për kujdestari dhe kompensime për përballje me pandeminë, ndonëse nuk ka qenë aktive në vendin e punës dhe nuk ka kryer asnjë angazhim në terren.

    Një verifikim i Ministrisë së Drejtësisë e cilëson këtë si përfitim të padrejtë dhe rekomandon kthimin e shumës së përfituar, tërheqjen e vërejtjes për IML-në si dhe njoftimin e MSh për masa të mëtejshme.

    Pas këtyre konstatimeve ishin rekomanduar tri masa konkrete:

    Kthimi i shumës prej 250 eurosh e përfituar në mënyrë të parregullt nga Curri, pasi është vërtetuar se ajo nuk ka qenë aktive në detyrë në periudhën përkatëse;

    Tërheqja e vërejtjes zyrtare ndaj Institutit të Mjekësisë Ligjore për lëshimin e kompensimit të padrejtë dhe për mos raportim të saktë të situatës;

    Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë për të marrë masa në përputhje me përgjegjësitë institucionale.

    Gjetje nga auditori – mbi dy vite e gjysmë vonesë në hartimin e një raporti mjeko-ligjor nga Bergita Nikaj-Curri

    Një raport i Auditorit të Brendshëm për vitin 2021 ka evidentuar vonesa të konsiderueshme në përmbushjen e detyrimeve profesionale nga ekspertja mjeko-ligjore Bergita Nikaj-Curri, duke ndikuar drejtpërdrejt në zvarritjen e procedurave gjyqësore dhe cenimin e të drejtës për qasje në drejtësi për palët e përfshira.

    Sipas gjetjeve të auditimit, në të paktën tri raste të analizuara, Nikaj-Curri nuk i kishte përmbushur detyrat profesionale sipas standardeve të kërkuara. Një rast i veçantë, i cituar në raport, nxjerr në pah një vonesë të rëndë procedurale:

    Autopsia ishte kryer më 11.10.2018

    Raporti histopatologjik ishte lëshuar më 22.07.2019

    Raporti përfundimtar mjeko-ligjor ishte hartuar vetëm më 14.01.2022

    Kjo nënkupton një vonesë prej mbi dy vite e gjysmë në përfundimin e dokumentacionit përfundimtar, duke pasur ndikim të drejtpërdrejtë në zvarritjen e procesit gjyqësor.

    Raporti thekson se fushëveprimi i auditimit kishte përfshirë lëndë të periudhës 2003–2021, të cilat lidhen me autopsitë e papërfunduara në kuadër të Divizionit të Mjekësisë Ligjore, përfshirë Laboratorin e Toksikologjisë, Histopatologjisë dhe punën e ekspertëve mjeko-ligjorë.

    Gazeta Insajderi i është drejtuar edhe zëvendësdrejtorit të IML-së, Ditor Haliti, për t’i marrë qëndrimet lidhur me këto çështje, por ai deri më tani nuk ka kthyer përgjigje

    /Gazeta Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark