Lufta nuk është më teori/ Kryeministri britanik: Përgatituni për luftë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Lufta nuk është më teori/ Kryeministri britanik: Përgatituni për luftë

    Insajderi
    03 June 2025 - 14:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Motoja e qeverisë britanike është bërë tashmë e qartë: “Gatishmëri për luftë”.

    Kështu e përshkroi edhe kryeministri Keir Starmer në një deklaratë të fortë nga Glasgow, ku vizitoi kompaninë e mbrojtjes BAE Systems, një ndër shtyllat e sigurisë së Mbretërisë së Bashkuar.

    Fjalët e tij vijnë në një kontekst të ndjeshëm gjeopolitik, me rritjen e agresionit rus dhe frikën gjithnjë e më të madhe për një përplasje të mundshme me NATO-n.

    Starmer paralajmëroi se kërcënimi që nisi me luftën në Ukrainë mund të përhapet në çdo moment edhe në një vend të aleancës atlantike – një frikë e artikuluar më herët edhe nga Shefi i Shtabit të Mbrojtjes së Gjermanisë, Carsten Breuer, dhe gjenerali amerikan David Petraeus.

    Sulmet hibride të Rusisë tashmë po ndihen në Perëndim, nga sulmet kibernetike e deri te aktet e sabotimit, si shpërthimet me pako në Evropë verën e kaluar.

    Raporti i mbrojtjes: Mbretëria nuk është e përgatitur për luftë

    Këto deklarata erdhën në të njëjtën ditë me publikimin e Rishikimit të Shpenzimeve të Mbrojtjes, një raport i pavarur i hartuar nga ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s George Robertson, ish-këshilltarja e Donald Trump, Fiona Hill, dhe gjenerali britanik Sir Richard Barrons. Konkluzioni? Forcat e armatosura britanike nuk janë të gatshme për një përballje të mundshme ushtarake.

    Nga 62 rekomandime të raportit, Starmer ka premtuar të nisë zbatimin e disa prej tyre menjëherë:

    12 nëndetëse të reja sulmuese me energji bërthamore

    15 miliardë paund për modernizimin e sistemit parandalues “Trident”

    1.5 miliardë paund për prodhim të qëndrueshëm të municioneve

    Prodhimi vendas i mbi 7,000 armëve dhe dronëve me rreze të gjatë

    Krijimi i një komandë të re për sfidat kibernetike dhe elektromagnetike

    Investime të mëdha në inteligjencën artificiale

    Rritja e trupës aktive nga 73,000 në 76,000 ushtarë, si dhe zgjerimi i rezervistëve dhe përfshirja e veteranëve

    Lufta nuk është më teori: paqja pas Luftës së Ftohtë ka përfunduar

    Sipas raportit, bota tashmë ka hyrë në një epokë të re tensionesh dhe përplasjeje potenciale mes Perëndimit dhe fuqive bërthamore si Rusia dhe Kina. Skenarët përfshijnë sulme ndaj bazave ushtarake apo infrastrukturave kritike – duke e bërë të domosdoshme mobilizimin edhe të popullsisë civile, për mbrojtjen e vendit nga sabotime, sulme kibernetike apo ndërhyrje të tjera hibride.

    “Shteti ka detyrimin të mbrojë qytetarët, por të gjithë duhet të bëjnë pjesën e tyre,” tha Starmer, duke sinjalizuar se në të ardhmen e afërt, rezervistët, vullnetarët dhe qytetarët e zakonshëm mund të thirren për përgatitje.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark