
Interi raportohet se ka shprehur interesim për Marcus Rashford, me reprezentuesin anglez ëndrra e të cilit për transferim tek Barcelona duket se ka marrë fund.
Rashford me shumë gjasa do të largohet nga Unitedi në verë pas përplasjes që pati në dimër me trajnerin Ruben Amorim, gjë që bëri që ai të shkonte në huazim tek Aston Villa në janar.
Reprezentuesi anglez dëshiron kalimin tek Barcelona, por kjo lëvizje mund të mos bëhet realitet pavarësisht dëshirës së ndërsjellë, pasi kampioni i La Ligas nuk është i gatshëm të paguajë çmimin e kërkuar nga ‘Djajtë e Kuq’.
The Sun tani ka raportuar se Interi është i interesuar për transferimin e Rashford këtë verë, pas poshtërimit që pësuan në finale të Ligës së Kampionëve nga PSG-ja.
‘Nerazzurrët’ janë të etur që ta rindërtojnë skuadrën e tyre, veçanërisht mes raportimeve se trajneri Simone Inzaghi mund ta marrë rrugë drejt Arabisë Saudite, më saktësisht tek Al-Hilal.
Aston Villa po ashtu janë të interesuar që ta bëjnë të përhershëm qëndrimin e Rashford në ‘Villa Park’, pas paraqitjeve të mira nën urdhrat e Unai Emery.
Megjithatë, klubi anglez nuk ia doli që të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm dhe kjo mund ta bëjë të vështirë për ta që ta përballojnë pagën e majme të 27-vjeçarit.
Për këtë arsye, në rast se edhe Barcelona tërhiqet nga gara për Rashford, atëherë Interi do të jetë i vetëm në garën për transferimin e sulmuesit.