Avokatja e Naim Murselit kërkon që t’i bëhet ekzaminim i statusit mendor - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Avokatja e Naim Murselit kërkon që t’i bëhet ekzaminim i statusit mendor

    Insajderi
    04 June 2025 - 14:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Naim Murseli, i dyshuari kryesor për vrasjen e Liridona Ademajt, është deklaruar i pafajshëm.

    Pos tjerash, ai ka thënë se nëse vërtetohen pretendimet e Prokurorisë, ai vetë do të kërkojë dënim të përjetshëm për veten, shkruan Insajderi.

    Avokatja e Naim Murselit, Teuta Zhinipotoku, ka deklaruar se mbrojtja ka kërkuar që klientit të saj t’i bëhet ekzaminim i statusit mendor, por se deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Prokuroria apo Gjykata.

    “Sapo është ngritur çështja penale, një prej kërkesave tona ka qenë që i pandehuri Naim Murseli të dërgohet në ekzaminim të statusit mendor. Për këtë kërkesë nuk kemi pranuar përgjigje nga ana e Prokurorisë dhe Gjykatës”, tha Zhinipotoku.

    Ajo shtoi se ky ekzaminim është thelbësor për të vlerësuar nëse Murseli është në gjendje të ndjekë rrjedhën e shqyrtimeve gjyqësore dhe të konsultohet me avokatët e tij.

    “Konsiderojmë se kur të arrihet sigurimi i kësaj prove, që do ta realizojë grupi i ekspertëve pranë QKUK-së dhe Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, atëherë në varësi të gjetjeve, të vazhdohet me procesin gjyqësor”, theksoi avokatja, duke shtuar se “ky proces kërkon maturi dhe paanshmëri, dhe pala mbrojtëse nuk kërkon trajtim të veçantë”.

    Theksojmë se në këtë rast, Kushtrim Kokalla është deklaruar i pafajshëm, ndërkaq Granit Plava është mbrojtur në heshtje.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark