
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka komentuar arrestimin e Shemsi Bahtirit, eksponent i Lëvizjes Vetëvendosje nga pika “Qyteti i Vjetër” në Prishtinë, duke e cilësuar si pjesë të një prapavije më të gjerë të përfshirjes së njerëzve të afërt me pushtetin në veprimtari të dyshimta.
“Tash arrestohet eksponenti i Lëvizjes Vetëvendosje i pikës ‘Qyteti i Vjetër’ të Degës së Prishtinës. Njeri që qëndron afër ministrit të Brendshëm, z. Sveçla, dhe gjithashtu afër figurave të tjera të partisë në pushtet. Dhe kjo nuk është rastësi,” deklaroi Qalaj në konferencë për media, përcjell Insajderi.
Ai shtoi se Shemsi Bahtiri ishte hetuar edhe më parë, duke sugjeruar se ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një patterni që kërkon hetim serioz.
“Bahtiri është hetuar edhe në vitin 2019 për gjëra të njëjta,” tha Qalaj.
Shemsi Bahtiri dhe të dyshuarit e tjerë për rastin e heroinës janë paraqitur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Disa të dyshuar të tjerë kanë fshehur fytyrën nga media me t’u futur në Pallatin e Drejtësisë, ku pritet të shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit, shkruan Insajderi.
Drejt seancës nën mbikëqyrjen policore dhe në pranga është shoqëruar edhe Shemsi Bahtiri, i cili është parë i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.
Policia e Kosovës ka vënë në pranga 22 persona në operacionin “Qielli i Thyer”, si të dyshuar për shitblerjen e substancave narkotike heroinë.