
Policia e Kosovës ka arrestuar 22 persona dhe ka kryer dhjetëra bastisje pasi ka thyer një platformë të komunikimeve të koduar të përdorur nga grupet e krimit të organizuar, të quajtur “SKY ECC”.
Insajderi ka mësuar se në mesin e të arrestuarve është edhe Kurbin Dezdari, vëllai i Alban Dezdarit.
Alban Dezdari është dënuar nga gjykatë e shkallës së parë për përfshirje në vrasjen e dy policëve në Podujevë më 2004. Alban Dezdari akuzohet bashkë me Bedri Krasniqin për implikim në këto vrasje.
Kurbin Dezdari është në mesin e personave të arrestuar në Pejë përgjatë operacionit të gjerë anti-drogë.
Ai ishte cak i një sulmi, që dyshohet të jetë realizuar nga grupi i Demë Elshanit, më 23 janar të 2025-ës. Shpërthimi ndodhi në biznesin e familjes Dezdari.
Detajet nga dosja
Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë dosjen e Prokurorisë, ku thuhet se 22 të dyshuarit vepronin si grup kriminal. Ata porosinin substanca narkotike të llojit: kokainë, heroinë dhe marihuanë nga Amerika e Jugut, Irani dhe Turqia. Destinacioni ishte Kosova.
“Aktivitetin e tyre kriminal e realizojnë fillimisht duke aranzhuar porosit e narkotikëve nga shtetet e lartpërmendura dhe përmes pjesëtarëve të këtij grupi sigurohen që narkotikun ta fshehin nëpër kontejner të ndryshëm për bartjen e mallrave të ndryshme përmes anijeve transportuese, përmes kamionëve për transport mallrash, përmes veturave të pajisura me bunker duke e kamufluar nëpër vende të posaçme të rregulluar ekstra për fshehjen e narkotikut, të njëjtën përmes rrugëve tokësore, porteve detare, përmes Shqipërisë, Maqedonisë se Veriut e sjellin në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në dosje.
Siç thotë Prokuroria, për ta shtuar sasinë e narkotikut, të dyshuarit e përziejnë me sodë buke dhe përzierës të tjerë dhe e transportojnë për në Serbi, Bosnje, Kroaci, Gjermani, Zvicër. Një sasi tjetër e shesin në Kosovë.
Në dosje thuhet se të dyshuarit s’kursejnë asnjë formë për ta mundësuar transportimin e drogës jashtë shtetit.
“Të pandehurit nuk kursejnë asnjë mjet për të ja arritur qëllimit, qoftë duke korruptuar zyrtarë shtetërorë, e në raste të caktuara edhe duke eliminuar fizikisht ndonjë anëtar të grupit nëse i njëjti nuk vepron sipas udhëzimeve të grupit të organizuar kriminal”, thuhet ndër të tjera.
Gazeta Insajderi ka siguruar ekskluzivisht emrat e të arrestuarve në këtë operacion:
Rexhep Nikqi, Arianit Krasniqi, Abedin Gjakova, Ragip Bislimi, Armend Ismajli, Rifat Vuçetaj, Erduan Ismaili, Shemsi Bahtiri, Andi Vokshi, Blerim Sharapolli, Elez Elezi, Roland Beqiri, Avni Rekaliu, Edin Berisha, Ardijan Mazrekaj, Kurbin Dezdari, Onur Vizdik, Lorik Tigrani, Kenan Brovina, Kahraman Aksoy, Ylli Musliu dhe Safet Ljajic. /Insajderi.org/