
Hapja e shumëpritur e markës së njohur amerikane për ushqimin e shpejtë, Popeyes, në Prishtina Mall ka ngjallur entuziazëm jo vetëm mes qytetarëve, por edhe në radhët e ambasadës amerikane në Kosovë.
Në një postim në Facebook, Ambasada amerikane shprehu mirëpritjen e saj për pikën e parë të Popeyes në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e kësaj ngjarjeje në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.
Ambasada theksoi krenarinë e saj për të parë inovacionin amerikan tek zë vend në Kosovë, duke e cilësuar këtë si një hap përpara në krijimin e mundësive dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik.
Kjo hapje, sipas ambasadës, është një përfitim i dyanshëm, si për Shtetet e Bashkuara ashtu edhe për Kosovën.
Popeyes, marka ikonë amerikane e specializuar në produkte të pulës, hapi dyert dje për herë të parë në Prishtina Mall, duke ngjallur interesimin e shumë dashamirësve të ushqimit të shpejtë në vend.
Për të shënuar këtë hapje madhështore, Popeyes organizoi edhe një lojë shpërblyese për fansat më të zjarrtë, kushdo që zinte vendin e parë në radhë, do të shpërblehej me një vit sandwich falas!
Ky fat i buzëqeshi Zgjim Topojanit, i cili kishte pritur plot katër orë për të qenë i pari që shijon Popeyes në Kosovë – një pritje që u shpërblye me shije dhe shpërblim.
E themeluar në vitin 1972, Popeyes është sot një prej emrave më të mëdhenj dhe më të dashur në botën e ushqimit të shpejtë, me mijëra lokacione në mbarë globin.