
Lulzim Qerimi, nënkryetar i komunës së Lipjanit për komunitete, ka aplikuar dhe është pranuar edhe me një pozitë të zyrtarit komunal brenda komunës. Punësimi i tij po cilësohet si shkelje flagrante e ligjit. Dyshimet për parregullsi në këtë konkurs janë thelluar pasi që, ai kishte aplikuar për pozitën e zyrtarit, ani pse dy ditë më pas ishte paraqitur në seancën komunale, si nënkryetar. Komuna dhe Qerimi nuk i janë përgjigjur pyetjeve të redaksisë. Insajderi ju sjell detaje.
Gazeta Insajderi
Me datën tre qershor, komuna e Lipjanit, njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, ka publikuar rezultatet e konkursit për pozitën e punës “Zyrtar për të drejta dhe integrim të komuniteteve”.
Në njoftim thuhet se pas vlerësimit të kandidatëve, më i suksesshmi për këtë pozitë është Lulzim Qerimi.
Lulzim Qerimi ka mbledhur gjithsej 91.2 pikë.
Mirëpo dyshohet se në këtë konkurs janë shkelur procedurat. Kjo pasi që, Lulzim Qerimi në komunën e Lipjanit ka pozitën e Nënkryetarit për Komunitete. Të paktën nuk ka ndonjë dorëheqje publike.
Dhe si duket ani pse mbanë këtë pozitë, i njëjti ka aplikuar edhe për zyrtar komunal.
Lulzim Qerimi, me datën 27 maj i ishte nënshtruar testit me shkrim. Ndërkohë me datën 29 maj, kishe qenë prezentë në Kuvend, në pozitën e nënkryetarit.
Asamblisti i PDK’së, në Lipjan, Arsim Jashari, e ka quajtur shkelje flagrante ligjore.
“Si mund të jetë njëkohësisht nënkryetar i komunës dhe kandidat për zyrtar komunal?! Më 27.05 i nënshtrohet testit me shkrim për pozitën “Zyrtar për të drejtat dhe integrimin e komuniteteve”, më 29.05 paraqitet në seancë si nënkryetar dhe përshëndetet si i tillë nga kryesuesi, ndërsa sot (pas intervistës gojore) njoftohet se është pranuar në atë pozitë!”.
Ai ka shtruar pyetje, rreth dorëheqjes së nënkryetarit nga pozita e mëhershme.
“Ku është dorëheqja nga pozita e nënkryetarit? Nëse nuk ka dorëheqje, kjo është një SHKELJE flagrante ligjore dhe institucionale!
Faktet dhe dokumentet e vërtetojnë këtë – kërkojmë transparencë dhe llogaridhënie të menjëhershme!”, ka thënë ai.
Tutje, Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje komunës së Lipjanit, rreth punësimit me pozitë të dytë të Lulzim Qerimit, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigje.
Insajderi poashtu ka tentuar të kontaktojë edhe nënkryetarin Lulzim Qerimi, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigje.
Insajderi.org