
Pas largimit të flamurit të UÇK-së nga stadiumi “Air Albania” gjatë ndeshjes Shqipëri–Serbi, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ashpër, duke e cilësuar këtë veprim si një fyerje të rëndë ndaj sakrificës së dëshmorëve dhe historisë kombëtare shqiptare.
Përmes një deklarate, OVL e UÇK-së thekson se flamuri i UÇK-së nuk është thjesht një simbol, por përfaqëson gjakun e të rënëve për liri dhe kujtimin e tyre të përjetshëm.
Reagimi i plotë i OVL-së:
Na dhemb zemra oj nanë Shqipni.
Kur preket flamuri i UÇK-së, preket gjaku i Dëshmorëve tanë. Preket amaneti i tyre, preket liria për të cilën ata ranë.
Ai flamur është varri i atyre që s’u kthyen kurrë, është kujtimi i atyre që jetojnë përherë në ndërgjegjen tonë.
Të na thuhet se nuk ka vend për të në tokë shqiptare, është një therje në shpirt për çdo familje Dëshmori, për çdo luftëtar, për çdo zemër që rreh shqip.
Nuk kërkojmë asgjë më shumë veçse respekt, për ata që s’kërkuan asgjë, përveç lirisë sonë.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, jo me mllef, por me zemër të thyer, kërkon ndjeshmëri e kujdes, sepse kjo nuk është politikë, është kujtesë, dhe kujtesa është e shenjtë.