28 seanca, 0 Kryetar, 100 drama - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    28 seanca, 0 Kryetar, 100 drama

    Insajderi
    08 June 2025 - 16:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në mungesë të një Kryetari Kuvendi pas 28 seancave, dhe me një qeveri në detyrë që funksionon pa kontroll parlamentar, institucioni i vetëm që ende gëzon një fije besueshmërie mbetet Gjykata Kushtetuese. Pritja për vendimin e saj është bërë streha e fundit e arsyes në një skenë politike që prej javësh është lëshuar në një improvizim procedural dhe një gjuhë gjithnjë e më polarizuese.

    Shkruan: Doruntinë Meha

    Kërkesa e AAK-së e ka shtruar qartë dilemën: A mund Kuvendi të ndryshojë mënyrën e votimit për Kryetarin vetëm sepse kandidatura e preferuar nuk po kalon? Pas katër tentativave me votim të hapur, iniciativa për kalimin në votim të fshehtë – përmes një komisioni ad hoc – nuk është më vetëm çështje taktike, por një sfidë serioze për vetë rregullat e lojës demokratike.

    Në mungesë të votave, është shpikur viktima. Në mungesë të kompromisit, është ngritur akuza për seksizëm. Kandidatura e Albulena Haxhiut është mbrojtur jo për përmbajtje, por për gjini. Ndërsa vota kundër saj është cilësuar si paragjykim, jo si vlerësim. Kjo përpjekje për ta kthyer barazinë gjinore në mburojë politike është ofenduese – jo vetëm për gratë në politikë, por për vetë thelbin e barazisë: përgjegjësinë e barabartë.

    Në anën tjetër, edhe lufta është nxjerrë në tregun e fjalëve – këtë herë për të sulmuar një gazetar. Një fotografi e përdorur në kontekst të kryeministrit në detyrë u shndërrua në akuzë emocionale, me pretendime për cenim të dhimbjes së luftës, kur në fakt, as emri e as historia personale e askujt nuk u përmend. Më shumë se një reagim emocional, ishte një taktikë për të heshtur kritikën dhe për ta etiketuar si fyerje çfarëdo mosmarrëveshjeje.

    Të njëjtin refren e pamë edhe kur një emision investigativ zbardhi skemën e dyshuar të keqpërdorimeve në KOSTT. Në vend të reagimit institucional, publiku mori një deklaratë të ministres së linjës, që më shumë se sqarim, ishte rrëfim për dhimbje personale. Nuk u kundërshtuan faktet, nuk u kërkua hetim – thjesht u shpall linçim publik. Edhe krimi i mundshëm, si kundërshtimi politik dhe gazetaria kritike, po futet në të njëjtin kallëp: po nuk mundëm ta mohojmë, po e vajtojmë.

    Në vend të debatit për përgjegjësinë politike, kemi spektakël emocional. Në vend të ballafaqimit me faktin se Kuvendi është jashtë funksioni dhe Qeveria në detyrë po merr vendime që mund të jenë të jashtëligjshme, kemi lojë me ndjeshmëritë kolektive.

    Gjykata Kushtetuese tani ka jo vetëm detyrën të sqarojë një çështje procedurale – por edhe të vendosë një kufi të qartë mes legjitimitetit dhe manipulimit. Të tregojë se rregullat nuk janë pengesë, por mbrojtje. Dhe se nuk ka barazi pa përgjegjësi, nuk ka kujtim pa dinjitet, dhe nuk ka shtet pa rend kushtetues.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark