
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas ndalimit të një ish-pjesëtari të Njësisë Speciale të Kosovës nga autoritetet serbe, shkruan Insajderi.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka bërë thirrje që asnjë pjesëtar i UÇK-së, ish-zyrtar i institucioneve të sigurisë dhe as familjarët e tyre të ngushtë të mos udhëtojnë nëpër Serbi, duke e cilësuar situatën si të rrezikshme.
“Pjesëtarët e UÇK-së dhe familjarët e tyre nuk duhet të udhëtojnë nëpër Serbi. Gjithë pjesëtarët e institucioneve të rendit dhe të sigurisë, qoftë të liruar nga detyrat dhe përgjegjësitë, si dhe familjarët e tyre të ngushtë, s’duhet të udhëtojnë nëpër Serbi”, ka shkruar Haradinaj.
“Mos e bëni këtë!”, ka shkruar ai.
Ish-polici i Kosovës, Arbnor Spahiu, është ndaluar nga autoritetet serbe më 7 qershor 2025, rreth orës 09:00, në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë.
Sipas MPJD-së, Spahiu po udhëtonte me autobus së bashku me familjen, gjatë kthimit të tij nga Austria drejt Kosovës.