
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, ka mohuar se në takimin e djeshëm me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti është diskutuar për koalicione.
I ftuar në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini, Hamza tha se biseda me Kurtin është përqendruar në projektet që kanë rëndësi për qytetin e Mitrovicës, si për pjesën jugore ashtu edhe për atë veriore.
“Janë disa obligime ligjore, një prej tyre edhe krijimi i Bordit të përbashkët që i ka 11 anëtarë, 5 duhet të jenë prej Mitrovicës së Jugut, 5 prej Mitrovicës së Veriut dhe 1 anëtar e cakton Qeveria. Projekte të tjera të përbashkëta që i ndikojnë dy anët e qytetit dhe une si qytetar i Mitrovicës jam i lumtur që pa ndonjë pompozitet të madh por me rëndësi të madhe, kam kriju projekte në dy anët e qytetit – një prej tyre është shëtitorja rreth lumit Ibër. Edhe në pjesën veriore edhe në pjesën jugore. Këto kanë qenë temat për të cilat kemi bisedu. Nuk e kemi bisedu fare temën e koalicioneve”, tha Hamza.