
Dy punonjës të Telekomit të Kosovës janë përfshirë në një rrahje para dy ditësh, pranë objektit të zyrës kryesore të ndërmarrjes publike.
Gazeta Insajderi përmes burimeve brenda institucioneve të sigurisë ka marrë vesh se në incident kanë qenë të përfshirë Rasim Nura, kryeinxhinier në Departamentin Teknik, dhe Rushit Zyrani, mbikëqyrës i një njesie teknike të ndërmarrjes publike.
Lidhur me këtë incident për Insajderin janë deklaruar edhe nga Telekomi i Kosovës, ku kanë bërë të ditur se konflikti ka ndodhur jashtë objektit të ndërmarrjes.
“Sipas informacionit që posedojmë, ka ndodhur një përleshje jashtë objekteve të Telekomit. Policia e Kosovës ka ndërhyrë në vendin e ngjarjes dhe ka hapur rast për veprën penale të kategorizuar si “Sulm”“, thuhet në përgjigjen e Fadil Lepajes, Udhëheqësit të Zyrës për Komunikim në Telekom.
Një burim brenda ndërmarrjes publike ka thënë për Insajderin në kushte anonimiteti se arsyeja që ka çuar në përleshje fizike ka qenë si pasojë e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme në komunikimin mes tyre – përmes emailit dhe në mënyrë verbale.
I njëjti burim ka deklaruar se “një nga faktorët kryesorë që ka kontribuar në këtë gjendje është që nga udhëheqja e Telekomit nga treshja. Burbuqe Hana, Halil Krasniqi e Feim Kelmendi. Mospërfillja e ankesave të punonjësve dhe menaxhimi joefikas i konflikteve kanë sjellë pasoja të rënda për ambientin e punës”.
Megjithatë, në një përgjigje për Insajderin, nga ndërmarrja kanë thënë se nuk e dinë shkakun e konfliktit.
“Ende nuk e dimë arsyen e saktë të incidentit. Sikurse e kemi potencuar më parë, vetëm pas sqarimit të plotë të situatës dhe rrethanave, kompania mund të marrë masat e duhura”, kanë thënë nga kjo ndërmarrje. /Insajderi.org/